Live

Cakolli: Tërheqja e kërkesës nga Osmani nuk e ndalon trajtimin e saj, Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin

19:14 / 05 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) ka thënë se tërheqja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani, nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj.

Sipas Cakollit, Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin kur konstatohet interes publik madhor.

“E në një situatë ku Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në vakum institucional, s’ka dilema se ky është një ndër rastet më serioze, që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat ta japë atë”, ka shkruar Cakolli.

Sipas tij, Gjykata duhet ta trajtojë këtë çështje deri në fund.

“Mbi të gjitha, për shkak të rëndësisë për funksionimin kushtetues të institucioneve. Por, edhe për të mbrojtur integritetin institucional të saj dhe për të mos e minuar besimin e qytetarëve në vendimmarrjen e saj si trupë, për shkak të një gjyqtari. Aq më tepër, kur kërkesat aktuale të partive politike nuk e adresojnë qartë çështjen e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor”, ka shkruar ai.

Lidhur me arsyetimin e Presidentes për tërheqjen e lëndës pasi gjyqtar raportues u caktua Radomir Llaban, Cakolli ka thënë se gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit.

“Nëse paneli prej tre gjyqtarësh propozon papranueshmëri dhe asnjë gjyqtar tjetër nuk e kundërshton, atëherë rasti mbyllet. Por mjafton që një gjyqtar tjetër të mos pajtohet, dhe rasti kalon për shqyrtim në përbërje të plotë të Gjykatës.

Aty vendoset me shumicë votash për secilën pikë – si për pranueshmëri ashtu edhe për substancë. Edhe nëse gjyqtari raportues nuk është në atë shumicë, me vendim të Kryetarit, tekstin final e harton një gjyqtar tjetër”, ka sqaruar Cakolli.

Shpërndaje në

U Kopjua