Ish-Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në maj të vitit 2018 kishte pasur përleshje verbale me ish-nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti. Gjatë asaj seance të tensionuar Gashi dhe Haliti kishin shkëmbyer fyerje ndaj njëri tjetrit.
E një ditë pas Haliti e kishte goditur me bërryl deputetin e LDK-së në sallën e Kuvendit, e më pas këtij konfrontimi i është bashkangjitur edhe ish-deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj i cili e kishte kërcënuar Gashin.
Sot Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim që të dënojë Xhavit Halitin dhe Gani Dreshajn me gjobë në shumën e 1250 eurove për sulmin që këta të fundit i kishin bërë ish-deputetit të LDK-së Arben Gashi.
E ky vendim i Gjykatës nuk i ka pëlqyer Gashit, i cili ka thënë se dënimi me gjobë është minimal ndaj Halitit dhe Dreshajt.
Ai theksoi se në ditët të vazhdim do të shikojë se si do ta trajtojë këtë çështje.
“Mendoj se gjykata ka dhënë dënim minimal, në ditët në vazhdim do të shoh se si do ta trajtoj këtë çështje”-tha Gashi.
Gashi shtoi se për rastin do të konsultohet edhe me juristët e tjerë.
“Do të konsultohem edhe me juristë të tjerë, edhe për padi civile”.
Për këtë përplasje me deputetin e LDK-së, Arben Gashi, Haliti kishte thënë se vetëm ka “rrëshqitur”.
Madje ka akuzuar mediat se po rrejnë.
“Kurgjo vallahin, asnjë përplasje s’kemi pas. Po rreni ju kapak. Jo vallahin veç kam rrshit. As s’kemi kurgjo, dje kemi debatu. Kom rrshit edhe e kom prek pak”, kishte thënë Haliti kur edhe kishte ndodhur incidenti vitin e kaluar.