Dardan Gashi, ish-zëvendëskryeministër, që ka kaluar së fundmi në partinë e Fatmir Limajt, Nismën Socialdemokrate, liderin e partisë së tij po e krahason me Ibrahim Rugovën.
Mirëpo, sipas tij, ai i ka tejkaluar të gjitha këto burrërisht dhe ka arritur të konsilodojë partinë e tij.
“Limaj është sfiduar shumë nga bashkëpartiakët, nga sistemi juridik… Mua më ka bërë përshtypje te Limaj ajo që ka dalë nga PDK-ja, ka formuar një parti dhe e ka kaluar pragun, ka krijuar një substancë me disa vlera që ky i ka si individ, si familje, si luftëtar e intelektual, dhe mbërrin që në tri gara të kalojë pragun… Unë mendoj se Limaj ka çfarë t’i ofrojë Kosovës, jo vetëm kësaj radhe, por edhe në të ardhmen. Të kaluarën e ka me sfida që i ka kaluar burrërisht dhe i ka fituar. Tek ne aktakuzat e kanë humbur kuptimin. Nga 10 të akuzuar, 9 na dalin të pafajshëm. Liria me të cilën ngrihen aktakuzat është shqetësuese. Një prokuror që s’mundet të nxjerrë fajtorë së paku 70 % e të aktakuzave, duhet të japë përgjegjësi. Limaj është një prej njerëzve që është stigmatizuar edhe nga Gjykata e Hagës, por i cili ka arritur që të mbledh rreth vetes edhe parti tjera”, tha Dardan Gashi në Interaktiv të KTV-së.
“Ne e dimë që s’do t’i bëjmë 30%, por të jemi ata që të bindim elektoratin se vota e tyre nuk humbet. Ne s’do të krijojmë situata sikurse partitë tjera opozitare më parë”, tha Gashi.
Ai ka krahasuar Limajn me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën.
“Rugova ka kërkuar që të votohen edhe partitë tjera, duke mos dashur t’i acarojë të tjerët. Për Kosovën, Rugova ka bërë atë që ne po tentojmë të bëjmë sot”, u shpreh Gashi.