Dy udhëtarë që kishin arritur nga Stambolli janë kapur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me mallra të padeklaruara në vlerë prej 3,264 euro.
Rasti është zbuluar gjatë kontrolleve rutinore të realizuara nga Dogana e Kosovës, përmes analizës së rrezikut dhe vëzhgimit të sjelljes së udhëtarëve.
Pas selektimit për kontroll të detajuar, nëpërmjet skanerit dhe inspektimit fizik të bagazheve, zyrtarët doganorë kanë hasur në produkte të ndryshme të padeklaruara, përfshirë produkte kozmetike, ambalazhe me mbishkrime të brendeve të ndryshme, ngjitëse/stikera me mbishkrime komerciale, transmeton Klankosova.tv.
Mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe ndaj udhëtarëve ka nisur procedura kundërvajtëse.
Dogana e Kosovës rikujton të gjithë qytetarët se çdo mall që kalon kufirin duhet të deklarohet, në përputhje me Ligjin për Doganat. Mosdeklarimi përbën shkelje ligjore dhe mund të rezultojë me gjoba apo konfiskim të mallrave.