“Arena Kombëtare” do të inaugurohet zyrtarisht më 17 nëntor, në përballjen e fundit kualifikuese të këtij edicioni kundër kampionëve të botës në fuqi, Francës.
FSHF do të organizojë një ceremoni inauguruese madhështore, qoftë për nga spektakli por qoftë edhe për nga emrat që do të vijnë.
I ftuar në stadion e televizionit “Ora News”, në një rrëfim përballë gazetares, Beti Njuma, kreu i FSHF-së, ka folur në lidhje me inagurimin e stadiumit dhe jo vetëm, teksa ka zbuluar se ka ftuar edhe homologët serbë.
Duka gjithashtu nuk ka nguruar të flasë edhe për koston e impanjantit modern, si dhe problematikat e ndryshme në futbollin shqiptar, nga dhuna, te trukime. Ja rrëfimi i presidentit të FSHF-së.
Stadiumi do të jetë gati për ndeshjen me Francën. Por, përpara saj do të ketë një ndeshje test më 3 nëntor, ku ekipi i femrave të Vllaznisë do të luajë ndaj ekipet të femrave të Apolonisë. Është një ndeshje e detyrueshme para se të luhet një ndeshje në kompeticion Europian. Do të ketë një ceremoni hapjeje, para asaj me Francën e cila është edhe e fundit e këtyre kualifikueseve për ‘Euro 2020’.
Sa ka kushtuar stadiumi i ri kombëtar?
Formula e ndërtimit ka qenë e tillë që kontributi i FSHF-së ka qenë fiks: 10 milionë euro, plus TVSH-në të cilën ne kemi pretenduar se nuk duhet ta paguanim. Gjë për të cilën jemi në një konflikt dhe uroj ta marrim mbrapsht për ta investuar në të tjera projekte të rëndësishme. pjesa tjetër e financimit është e kompanisë private. Nuk jam shumë i saktë,por kosto totale është diku te 75 milionë euro.
Kosto relativisht e lartë…
Relativisht normale. Stadiumet maten për nga kosto përmes vendet për spektatorë. Diapazoni është i madh nga 1000 euro për vend, deri në rreth 12 000 euro për vend. Kaq është stadiumi i ri “Uembli” dhe i ri i Totenhemit. Ky është me një kosto mesatare për rreth 3000 euro për vend.
Emri i stadiumit, çfarë do të ndodhë?
Është çështje delikate dhe të gjithë kanë të drejtë që të diskutojnë. Nisur nga fakti që FSHF siguron të ardhura vetë dhe nuk merr asnjë ndihmë nga shteti, do të mbajë edhe një stadium. Federata duhet të sigurojë të ardhura që të menaxhojë edhe stadiumet e tjera. Ka një kosto shumë të lartë mirëmbajtjeje dhe duhen gjetur birime për këtë. Një hall është ta ndërtosh dhe një hall tjetër më i madh është që ta mirëmbash siç është mirëmbajtur i Elbasanit.
Çmimet për ndeshjen ndaj Francës…
Gjysma e stadiumit, rreth 11 mijë vende do të jenë me çmimin 1500 lekë. Të ardhura që nuk justifikojnë as shpenzimet e ceremonisë së inaugurimit të stadiumit. Në stadiume të tjera, të ardhurat janë mbi pesë milionë euro për ndeshje.Ndeshje miqësore me Serbinë?Ne ndeshje miqësore duhet të bëjmë me të gjithë. Sporti nuk duhet të ngatërrohet me politikën. Uliganët nuk mund të përfaqësojnë të gjithë popullin serb. Ne i kemi të limituara datat e miqësoreve, kështu që vështirë do jetë. Në stadiumin e ri i kemi ftuar të gjithë, edhe serbët.
Investimet e FSHF-së…
Vetë e kemi ngatërruar veten më shumë. Jemi të bindur që kjo lojë që ne e duam nuk mund të zhvillohet pa infrastrukturë. Pak aktorë në këtë vend merren me infrastrukturën. Nuk është detyrë e FSHF-së. Nuk kemi pasur pse t’i refuzojmë, kur qeveria ka bashkëpunuar. Kemi iniciuar një projekt të ri dhe mundohemi që të ndihmojmë në ndryshimin e infrastrukturës. Duhet shumë më shumë infrastrukturë dhe inventar sportiv. Presim që projekti të përkrahet nga qeveria.
Trukimet e ndeshjes…
Është histori e kaluar. Duhet të shohim situatën sot. Trukimi është fenomen botëror. Nëse Shqipëria dikur renditej në vendet me fenomenin më të theksuar, sot renditet në vendet me fenomenin më pak të theksuar. Nuk mund të merremi akoma me Skënderbeun. I vetmi klub në Europë që është dënuar në këtë nivel është Skënderbeu.