Komuna e Prishtinës dyshohet për kurdisje të tenderit “Dekorimet verore, dimërore dhe shënimi i datave me rëndësi – Ritender”, duke ia përshtatur specifikat një kompanie. Një pjesë e madhe e dekoreve që i ka kërkuar duke i specifikuar me fotografi, veçse kanë qenë në depon e kompanisë “Te Fatosi”, që tashmë i ka fituar të dy lotet e këtij tenderi – njërin në vlerë gati 140 mijë euro, e tjetrin rreth 80 mijë. Si Komuna, ashtu edhe kompania në fjalë, nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me dyshimet e ngritura.
Tenderi që ka dhënë Komuna e Prishtinës për dekorimin e kryeqytetit me rastin e festave të fundvitit, gjatë verës dhe shënimin e datave me rëndësi, dyshohet të jetë “i kurdisur”.
Disa nga dekorimet kryesore që janë specifikuar tek dosja e tenderit, veçse kanë qenë në depon e Kompanisë “Te Fatosi” që është shpallur fituese për të dy Lotet. Këto dekorime kanë qenë të ekspozuara vitin e kaluar në një prej qendrave tregtare në vend dhe në dyqanin e kompanisë në fjalë. Kjo dëshmohet edhe në faqet nëpër rrjete sociale edhe të qendrës tregtare në fjalë, por edhe të kompanisë “Te Fatosi”, ku janë postuar fotografi të këtyre dekorimeve të gatshme dhe vetëm është nevojitur transporti dhe vendosja e tyre në sheshet e kryeqytetit. Në dosje thuhet se produktet duhet të duken vizualisht 90 përqind si në fotografitë e prezantuara.
E ndonëse ky tender është edhe për dekorime verore e shënimin e datave me rëndësi, tek dosja nuk ka asnjë specifikë për këto dekorime. Mungojnë edhe dekorimet që identifikojnë kryeqytetin.
Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur në pyetjet e Reporteri.net për këto dyshime dhe mos përfshirjen e dekorimeve verore. Përgjigjje lidhur me dyshimet e ngritura s’ka kthyer as kompania “Te Fatosi”.