Ka vdekur motoçiklisti i cili u përfshi në një aksident me një veturë te salla “1 Tetori” në Prishtinë.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
“Rreth orës 17:00, kemi pranuar informatën se në rrugën “Edmond Hoxha” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë”.
“Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motoçikletës, ka humbur jetën. Ekipet e mjekëve emergjent në vendin e ngjarjes kanë konstatuar, se viktima, mashkull, është pa shenja jete”, tha Pllana për Klankosova.tv.
Tutje, ai u shpreh se njësia e trafikut të kryeqytetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin në lidhje me rrethanat e aksidentit.