Live

E rrëmbyen dhe e rrahën brutalisht te liqeni në Përlepnicë – 37-vjeçarit ia morën 2 mijë euro, viktima përfundon në QKUK

11:37 / 09 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Një ngjarje e rëndë është raportuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, ku një burrë ka mbetur i plagosur rëndë pas një sulmi fizik.

Viktima është F. A, 37 vjeçar, i cili sipas hetimeve të para është shoqëruar nga dy persona me një veturë të tipit “Mercedes” me ngjyrë të zezë deri te liqeni i fshatit, ku më pas është sulmuar fizikisht, i janë marrë 2 mijë euro para dhe autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, raporton Sinjali.

Viktima është dërguar fillimisht në Emergjencën e Gjilanit dhe më pas, për shkak të lëndimeve të rënda, është transferuar në QKUK – Prishtinë. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur një kuletë të zbrazët dhe disa para të metalit.

Sipas dëshmisë së babait të viktimës, djali i tij kishte dalë nga shtëpia mbrëmë rreth orës 22:30 dhe rreth orës 00:30 e kishte kontaktuar duke i thënë se ndodhej pranë stacionit të autobusëve për të blerë disa barna, para se të kthehej në shtëpi.

Rasti është duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda, ndërsa është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor” me urdhër të prokurorit kujdestar. Autorët ende nuk janë identifikuar.

Shpërndaje në

U Kopjua