Një ekspert politik në Finlandë ka hedhur poshtë idenë se fjalimet e Presidentit të ardhshëm të SHBA Donald Trump janë dhurata për Vladimir Putin.
Jyri Lavikainen, studiues në Institutin Finlandez të Politikës së Jashtme, duke folur për deklaratat e Trump për Kanalin e Panamasë, Grenlandën e Kanadanë tha se ai fillimisht do të priste diçka më konkrete nga Trump, siç janë tarifat ndaj Danimarkës. “Tani për tani, gjithçka ka të bëjë me psikologjinë” thotë ai.
Lavikainen thotë se rusët e kuptojnë mirë se çfarë po flet Trump.
“Vetë rusët e kuptojnë edhe më mirë se Perëndimi se çfarë po përpiqet të arrijë Trump me fjalimet e tij si kjo”, thotë Lavikainen.
“Kjo lloj politike e ngjashme me gangsterët është kaq e njohur për rusët”, shton ai.
“Prioriteti i politikës ruse është lufta në Ukrainë dhe kjo nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me këtë”, thekson tutje Lavikainen.
Në prag të inaugurimit të tij, Trump ka lënë të kuptohet edhe një herë blerjen e Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë për Shtetet e Bashkuara për “siguri ekonomike”, shkruan Helsingin Sanomat.
Në një konferencë për media të martën, Trump tha se ai nuk do të përjashtonte veprimet ushtarake ose sanksionet ekonomike për të arritur qëllimet e tij.
Lavikainen po ashtu foli edhe për mesazhin që po u dërgohet evropianëve.
Ai pohoi se incidenti është një “parashije se si po forcohet mosbesimi ndaj Shteteve të Bashkuara në Evropë gjatë epokës së Trump”.
Studjuesi finlandez beson se situata mund të kthehet edhe në një disfatë për Rusinë.
“Trump mund të ketë sukses në frikësimin e vendeve evropiane për të forcuar aftësitë e tyre mbrojtëse. Në atë rast, rezultati përfundimtar do të jetë që NATO do të forcohet, me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara gjithashtu.”
Sipas Lavikainen, fjalimet e Trump promovojnë të njëjtën politikë përçaj dhe sundo që Rusia ka ndjekur tradicionalisht ndaj NATO-s.
“Trump po shantazhon aleatët e tij sepse dëshiron që ata të bëjnë më shumë dhe, mbi të gjitha, të blejnë armë nga amerikanët”.