Një ekspert i politikës ruse thotë se samiti në Alaskë i jep Putinit “legjitimitet” në skenën botërore dhe do të shihet si një fitore për Rusinë.
Profesor Stephen Hall, një ekspert në marrëdhëniet ruse dhe post-sovjetike në Universitetin e Bath, i thotë BBC-së, transmeton Klankosova.tv, se samiti do të “transmetohet në median ruse” si provë se vendi “nuk është më i izoluar”.
“Kjo i jep [Putinit] legjitimitet sepse ai do të takohet me Donald Trumpin – të ashtuquajturin udhëheqës të botës së lirë”, thotë ai.
I pyetur se sa i suksesshëm do të jetë samiti për Putinin nëse nuk do të dalë asgjë, Hall thotë se beson që Putini në të vërtetë nuk dëshiron të negociojë një fund të luftës.
Putini dëshiron “negociata, por nuk dëshiron një fund të negociuar”, thotë Hall, dhe në vend të kësaj, samiti do të tregojë se Rusia “i nevojitet Amerikës”.