“Pas publikimit të këtij Raportit për rastin e Deharit, e gjithë kupola e policisë dhe prokurorisë duhet të japin dorëheqje. Po këta janë që luajnë edhe me jeta njerëzish, ata manipulojnë dhe keqpërdorin prova, falsifikojnë gjithçka”, tha Preteni.
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, kërkojnë me urgjencë që të japin dorëheqje nga pozitat e tyre, të gjithë ata qe deklaruan edhe publikisht se Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje.
Prindi i Astritit, Avniu, ka deklaruar se duhet nisur menjëherë hetimet lidhur me gjetjet e raportit të Institutit Zviceran të Mjekësisë Ligjore në Zvicër, ku konstatohen neglizhime nga Agjencioni Kosovar i Forenzikës, dhe ku thuhet se vrasja e Astrit Deharit është asistuar me intervenimin e një personi të tretë.
Sikur që dihet, prindi i Deharit, e ka bërë fajtor prokurorin Sylë Hoxha, i cili në fillim ka qenë kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit dhe është deklaruar për mediet për këtë rast.
Analistët e kësaj fushe theksojnë se edhe ky rast, e dëshmoi se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, por sundim të nëntokës kriminale dhe se vetëm në Kosovë, vrasja mund të “shitet” si vetëvrasje, prandaj me urgjencë duhet të kërkohet përgjegjësia individuale e kolektive.
“Pas publikimit të këtij Raportit për rastin e Deharit, e gjithë kupola e policisë dhe prokurorisë duhet të japin dorëheqje. Po këta janë që luajnë edhe me jeta njerëzish, ata manipulojnë dhe keqpërdorin prova, falsifikojnë gjithçka”, tha njohësi i fushës së drejtësisë, Hasan Preteni.
Sipas Pretenit, nga njerëz të tillë që falsifikojnë edhe provat me të cilat mbulohet krimi tragjik i cili dikujt i ka kushtuar me jetë, më së paku mundë të kontribuojnë në zbatimin e drejtë të ligjit, në luftimin e dukurive të tjera më minore kriminale, që lidhen me pasurimin e kundërligjshëm e zhvatjen e shtetit.
“Nuk mundë të pritet nga ata që të konfiskojnë e burgosin. Gjithfarë marifetesh bëjnë vetëm të mbesin aty duke i “gëzuar” pagat e majme dhe privilegjet jetësore. Këta nuk i shërbejnë qytetarit të thjeshtë por vetëm kupolës së krimit të organizuar. Me këta njerëz nuk ka shtet dhe prosperitet .Çdo zotim për punë të sinqertë dhe angazhim të mirëfilltë mundë të vlen vetëm për debate në ndonjë tryezë pune para kamerave dhe për përdorim të shkurtër. Nuk ka rezultate për një reformim të mirëfilltë”, theksoi Pretreni.
Sa i takon rastit Dehari, sipas Pretenit përgjegjësia e manipulimit dhe llogaridhënia duhet të shkojë e të kërkohet edhe përtej institucioneve të drejtësisë, deri në medie dhe OJQ të kapura nga pushteti i inkriminuar.
“Pas një skandali si ky i rastit të fundit, do të duhej të trazohej e gjithë skena politike dhe kupola e pushtetit të tretë. Fatkeqësisht kësaj maskarade po ju kontribuojnë edhe disa organizata joqeveritare dhe media”, përfundoi Preteni.