Live

Erdogan nis vizitën në Shqipëri

12:22 / 10 Tetor 2024

Nga Kosova Live

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po qëndron për vizitë në Shqipëri. Me ceremoni zyrtare Erdogan të enjten u prit nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Të dy krerët e shteteve fillimisht do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, dhe më pas do t’u bashkohen edhe delegacionet nga të dyja palët.

Më vonë, Erdogan pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama. Kurse, më pas do të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë Shqipëri-Turqi dhe në përfundim të saj pritet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve që lidhen me arsimin, bujqësinë dhe median.

Të dy presidentët, Erdogan dhe Begaj, duke shtrënguar duart.
Të dy presidentët, Erdogan dhe Begaj, duke shtrënguar duart.

Marrëveshja për krijimin e këtij Këshilli u nënshkrua në janar të vitit 2021, ndërsa mbledhja e parë u mbajt në shkurt të këtij viti.

Në Ankara, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama atje më 20 shkurt, u nënshkruan gjashtë marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në fushën e mjedisit, bujqësisë, medias dhe ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi në mars të këtij viti gjatë një fjalimi në Kuvend, se Turqia është një shtet ‘me të cilin kemi një bashkëpunim intensiv në fushën e sigurisë mbrojtjes dhe emergjencave civile’.

Ai bëri të ditur se aktualisht është duke u zbatuar mbështetja e grantit prej 100 milionë lirash turke për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe se mbi këtë marrëveshje u siguruan edhe tre dronët Bayraktar.

Prej ardhjes në pushtet të partisë Socialiste, kryeministri Rama e ka cilësuar Turqinë partner strategjik dhe ka deklaruar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të arrijë në nivele të panjohura më parë.

Turqia është ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri me rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në Shqipëri.

Rreth mesditës, presidenti Erdogan dhe kryeministri Edi Rama pritet të dalin me një deklaratë të përbashkët.

Ndërkaq, ceremonia e përurimit të xhamisë së Namazgjasë do të mbahet pasdite, para orës 17:00./REL

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...