Forcat ushtarake të Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë (EUFOR) do të fillojnë stërvitjet ushtarake më 9 shtator, dhe anëtarët e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë KFOR gjithashtu do të marrin pjesë, njoftoi komanda e EUFOR-it në Sarajevë.
Stërvitjet “Reagimi i shpejtë” janë pjesë e aktiviteteve të rregullta dhe të planifikuara më parë dhe ato do të zgjasin deri më 26 shtator, raporton KosovaPress.
Popullatës i është dërguar një mesazh se mund të presin lëvizje më të mëdha të automjeteve dhe personelit ushtarak në të gjithë vendin gjatë asaj periudhe. Kjo vlen veçanërisht për zonat përreth Sarajevës, Mostarit, Banja Llukës, Livnos, Orashjes, Zenicës, Zhepçes, Tuzlës dhe Prijedorit, si dhe pikën kufitare Svilaj drejt Kroacisë dhe Klobuk drejt Malit të Zi.
Në stërvitje do të marrin pjesë forca të EUFOR-it nga 25 vende të vendosura në misionin në BeH. Ato do të përforcohen përkohësisht nga njësi rezervë nga Çekia dhe Hungaria, dhe KFOR-i.
“Qëllimi i stërvitjes është të përmirësojë gatishmërinë operacionale të të gjitha forcave të përfshira dhe të konfirmojë mbështetjen e vazhdueshme të EUFOR-it për partnerët e saj në BeH në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në vend”, thuhet në deklaratën e EUFOR-it.
Misioni ushtarak i BE-së në Bosnjë e Hercegovinë, Althea, u krijua në vitin 2004 kur mori përsipër operacionet e kryera nga NATO përmes Forcës së saj të Stabilizimit (SFOR). Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendos çdo vit, zakonisht në tetor, për zgjatjen e mandatit të EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë.
Ish-lideri i Republikës Serbe Milorad Dodik njoftoi se këtë vit do t’i kërkojë Rusisë të vërë veton ndaj zgjatjes së mandatit.