Mediumi “EURACTIV” ka publikuar sot një shkrim lidhur me akuzat në rritje për abuzim dhe përdorim të tepruar të forcës nga ana e Policisë së Kosovës.
Siç raporton ky medium, akuzat për rritje të abuzimit policor në Kosovë kanë pasur ndikim negativ tek qëndrimi i BE-së si një nga financuesit kryesor të Policisë së Kosovës.
“Akuzat në rritje për abuzim policor në Kosovë po ngrenë pyetje të pakëndshme për Bashkimin Evropian, financuesin dhe mbështetësin kryesor të forcës policore të vendit”, nis artikulli.
Aty potencohet se si në javët e fundit më shumë se 10 oficerë policie janë pezulluar në lidhje me disa raste, përfshirë vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.
Artikulli tregon se gjatë pesë viteve të fundit, BE ka investuar 3 milionë euro në ndihmë dhe 1.5 milionë euro në trajnim për policinë e Kosovës, së bashku me mbështetje më të gjerë përmes misionit të saj të sundimit të ligjit EULEX.
Duke folur për Euractiv, një zyrtar i lartë i BE-së e përshkroi dhunën policore në Kosovë si “endemike”.
Euroactiv tutje raporton se Policia e Kosovës në një email drejtuar mediumit, ka konfirmuar se trajnimi bazë tani do të zgjatet në gjashtë muaj në teori dhe një vit në terren.