Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka ngritur shqetësime serioze për problemet me energjinë elektrike në rajonin e tij.
Ferati ka theksuar se qytetarët po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë, shpesh pa asnjë paralajmërim, duke përmendur se 6 fshatra janë prekur nga problemet me tensionin e ulët dhe se disa prej tyre, si fshati Kasnicë, kanë qëndruar deri në 48 orë pa energji elektrike.
“Kemi problem me rrymë edhe të shumë serioze, ka ndalje të shpeshta të rrymës me orë të tëra pa asnjë paralajmërim . Në 6 fshatra përreth ka pasur problem me tension , ka pasur rrymë por ka qenë prapë jo funksionale po ashtu fshati Kasnicë një pjesë është që 48 orë pa rrymë”, tha Ferati për FrontOnline.
Ai ka theksuar se investimet në rrjetin elektrik janë minimale dhe se kjo ka bërë që furnizimi me energji të jetë shumë i vështirë, sidomos gjatë periudhës së dimrit, kur konsumi rritet. Ferati ka kërkuar investime serioze për përmirësimin e rrjetit elektrik, veçanërisht për tensionin e ulët, që është jashtëzakonisht i vjetër dhe problematik.
“Investimet sa I përket rrymës kanë qenë minimale e tash sigurisht dimrit rritet edhe konsumi gjë që e bën të vështirë furnizimin me rrymë dhe është diçka me të cilën përballemi pothuajse çdo vit dhe prapë nuk kanë bërë ndonjë zgjidhje për këtë nuk ka pasur investim serioz. Komuna jonë ka jashtëzakonisht nevojë për investim e në rrjet elektrik po flas për tensionin e ulët I cili është jashtëzakonisht i vjetër”, përfundoi Ferati.