Live

Gërvalla befason: As 5 mijë trupat e NATO-s në Kosovë s’mund ta ndalin Rusinë

23:28 / 02 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

“Rusia është rrënjosur thellë në strukturat e Serbisë”; “As 5 mijë trupat e NATO-s s’mund ta ndalin”.

Më këto deklarata, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, paralajmëroi para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian se në sulmet në veri, si ai në sistemin e kanalit të Iberit-Lepencit dhe ai në Banjskë të Zveçanit, bëhet fjalë për më shumë se sa “tensione ndëretnike” – për një përpjekje të koordinuar me Rusinë. Deklarata të ngjashme dha dje edhe kryeministri Albin Kurti i cili lidhi sulmin me atë të sulmeve ndaj infrakstruturës në Ukrainë.

Të gjitha këto në dritën e njoftimit të Prokurorisë Speciale ku, për sulmin në Ibër-Lepenc, dhjetë nga të arrestuarit si të dyshuar, vetëm njëri nga ata gjendet nën masën e paraburgimit.

Sulmin në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, Gërvalla e quajti me të rëndin mbi infrastrukturën e një shteti demokratik, duke përjashtuar Ukrainën e pushtuar nga Rusia.

“Një sulm aq i rëndë mbi infrastrukturën e një shteti demokratik nuk ka ndodhur ndonjëherë në Evropë përveç Ukrainës. Serbia nuk është Rusi, por Serbia po kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat ato në kontekstin rajonal.” – tha Gërvalla.

Ministrja Gërvalla theksoi se këto sulme nuk mund të merren vetëm si një shpërthim tensionesh ndëretnike, ndërsa u dha mësim pjesëmarrësve për infiltrimin e thellë të Rusisë në strukturat e sigurisë dhe ekonomisë serbe.

Gërvalla vazhdoi duke thënë se synimet e Rusisë, përmes Serbisë, nuk mund të ndalen as nga 5 mijë trupat e NATO-s në Kosovë.

“Në shtator të vitit 2023, Serbia, me rreth 100 trupa paramilitare, jo 30 siç është raportuar gabimisht, të armatosur rëndë direkt nga arsenali ushtarak serb, bashkë me ushtrinë serbe, ndërmorën përpjekjen e parë për një ndërhyrje ushtarake në një vend me prani të lart të NATO-s. Është krejtësisht e pamundur që një vendim kaq serioz të ndërmerrej pa koordinim më Rusinë. Rusia është rrënjosur thellë në strukturat e Serbisë. Jo vetëm në ekonomi, por edhe në shërbimet e inteligjencës dhe ne Ministrinë e Mbrojtjes. As 5 mijë trupat e NATO-s s’mund ta ndalin Rusinë. Këto nuk janë tensione etnike, nuk është një mosmarrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.” – tha Gërvalla.

Në të njëjtën linjë, Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media të dielën, sulmin në Zubin Potok e përshkroi si një akt të ngjashëm me sulmet ruse ndaj infrastrukturës kritike në Ukrainë.

“Si në kontekstin kohor, ashtu edhe në atë të vetë natyrës së aktit, ky sulm duket që ka ndërlidhje me sulmet masive ajrore të Federatës Ruse kundër Ukrainës, me çrast sulme këto që ishin të orientuara pikërisht kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë”.

“Një ditë para sulmit në Zubin Potok, forcat ushtarake ruse, me 188 projektile rakateash dhe dronësh sulmuan infrastrkturën kritike të energjisë në Ukrainë, duke lënë rreth 1 milion amvisëri pa energji në prag të stinës së dimrit. Qëllimi është që popullsia të vihet përfundi kushteve jetike të minimumit të ekzistencës dhe në këtë mënyrë të dëmtohet shëndeti jeta dhe siguria e qytetarëve”, tha kryeministri Kurti më tej.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...