Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për shtëpitë private, bizneset dhe jo vetëm. Cak i grabitjes dje ka qenë një shtetas turk në Prishtinë, raporton KosovaLive.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur rreth orës 15:00, derisa viktima u ndalua nga një veturë në rrugën “Ahmeti Krasniqi”, nga ku dolën dy persona dhe ia morën çantën e dorës.
Në çantën të cilën ia grabitën të dyshuarit, shtetasi turk ka pasur rreth 420 euro para të gatshme, rreth 12-15 kartela, lejen e veturës, pasaportën, letërnjoftimin, të gjitha këto dokumente të shtetit të Turqisë.
Ndërkaq, të dyshuarit pas grabitjes kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
Policia ka nisur hetimet në lidhje me zbardhjen e këtij rasti.