Në Kosovë llogaritet se janë 70 mijë e 187 studentë në universitet publike dhe kolegjet private. Prej tyre, 40 mijë e 826 apo 58,2% janë femra dhe 29 mijë e 358 apo 41.8% meshkuj. Por, situata ndryshon kur bëhet fjalë për punësimin. Punësimi më i lartë ishte te meshkujt me 45.9 për qind dhe më i ulët te femrat me vetëm 16.5 për qind.
Gratë në Kosovë, me shkollë i kanë “shkelur” burrat.
Nga rreth 70 mijë studentë sa numërohen në universitet publike dhe kolegjet private, mbi 40 mijë janë femra dhe 29 mijë meshkuj.
“Numri i përgjithshëm i studentëve të cilët ndjekin arsimin e lartë në nivelin Bachelor 2021/2022 (në Universitetet Publike dhe Kolegjet Private) ishte 70187, prej tyre 40826 apo 58,2% femra, ndërsa 29358 apo 41.8% meshkuj”, thuhet në një raport të bërë publik nga Agjencia e Statistikave, shkruan Demokracia.com.
Ary tregohet se nga numri i përgjithshëm i studentëve vërehet diferencë e madhe gjinore.
“Nga numri i përgjithshëm i studentëve vërehet diferencë e madhe gjinore e studentëve të cilët ndjekin studimet në fushën e “Arsimit “ ku nga 4352 studentë, 4028 apo 92.6% janë femra dhe 324 apo 7.4 % janë meshkuj”.
Edhe në studimet master, dominuese janë sërish gjinia femërore.
“Numri i përgjithshëm i studentëve (në Universitete Publike dhe Kolegje Private) 2021/2022, në nivelin Master ishte 11877, prej tyre 7268 apo 61.2% janë femra, ndërsa 4609 apo 38.2% janë meshkuj”.
Sipas ASK-së, numri i të diplomuarave në nivelin Bachelor 2020/2021, ishte 10 mijë 997, ku prej tyre 7266 apo 66% femra dhe 3 mijë e 731 apo 34% meshkuj.
“Numri i studentëve të diplomuar në Universitete Publike dhe Kolegje Private në nivelin Master ishte 2112, prej tyre femra 1322 apo 62.6% ndërsa meshkuj 790 apo 37.4%”, thuhet në raport, përcjell Demokracia.com.
Por, situata ndryshon kur bëhet fjalë për punësim, pasi që në ketë fushë dominojnë meshkujt.
“Bazuar në të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore 2021, shkalla e punësimit ishte 31.3%, ku punësimi më i lartë ishte tek meshkujt 45.9%, ndërsa më i ulët tek femrat me 16.5%. Shkalla më e lartë e punësimit ishte tek femrat e grupmoshës 25-34 me 24.1% femra të punësuara. Ndërsa, tek meshkujt shkalla më e lartë e punësimit i përket grup moshës 35-44 me 61.9%”.
Agjencia e Statistikave ka treguar se në vitin 2021, shumica e femrave të punësuara kishin statusin e punonjësit 88.3 për qind krahasuar me 74.3 për qind për meshkujt dhe 4.9 për qind e femrave kishin statusin e punësimit të vetëpunësuar me punonjës krahasuar me 10.8% të meshkujve.
“Femrat janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 51.8%, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 41.8%”.
Shkalla e joaktivitetit tek femrat ishte 78.0 për qind krahasuar me meshkujt 43.4 për qind.