Brikena Kelmendi–Gashi, bashkëshortja e frizerit të njohur të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut, ka përfituar 10,000 euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të thirrjes për projekte kulturore për vitin 2025.
Kelmendi–Gashi është renditur në vendin e parë në kategorinë IV, për projektin “Vnesht Festival 2”, në listën e publikuar nga MKRS.
Kjo nuk është hera e parë që emri i saj shfaqet në publik.

Më 16 janar 2022, ajo ishte punësuar në Ministrinë e Drejtësisë, konkretisht në Divizionin për Mbrojtjen dhe Mbështetjen Juridike të Personave të Akuzuar nga Gjykata Speciale, një pozitë me qasje në dokumente të ndjeshme.
Punësimi i saj në këtë pozitë u bë pa konkurs dhe pa përfunduar verifikimi i sigurisë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI), siç kërkohet me ligj për pozita të tilla.
Ajo dha dorëheqje nga pozita që ushtronte në Ministrinë e Drejtësisë në vitin 2023, duke deklaruar se arsyeja ishte shëndeti i vajzës së saj.
Frizeri Armend Gashi, bashkëshorti i saj, ka qenë i njohur për afërsinë me krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë personalisht Kurtin dhe Haxhiun.
Ai vite më parë kishte aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje, majde nuk hezitonte t’i jepte arsyet për atë aderim.

Gashi thoshte se një ndër arsyet pse e ka marrë këtë vendim është se dëshiron të dijë më shumë se çka ndodh në vend.
“Duhet të vetëdijesohemi se çka po ndodh në vend, kjo është një ndër arsyet që m’ka shty me marrë këtë hap”, tha ai në Debat Plus në një paraqitje në vitin 2023.
Tutje, ai ishte shprehur se populli ka nevojë për një ndryshim. E ky ndryshim i erdhi fiks Gashit, pasi që bashkëshortja e tij u punësua në ministrinë që e drejton Albulena Haxhiu, klientja e rregullt e tij.
Në listën e përfituesve të granteve nga MKRS për vitin 2025, vërehen edhe emra tjerë që njihen për afërsinë e tyre me Lëvizjen Vetëvendosje.
