Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës në Gjilan, ka vizituar edhe Shoqatën HANDIKOS.
Haradinaj ka thënë se është informuar nga kreu i HANDIKOS-it për sfidat me të cilat përballet kjo kategori e shoqërisë.
“Në Gjilan, u pritëm përzemërsisht në shoqatën HANDIKOS nga kryetari i saj Fatmir Shurdhani, ku qëndrova i shoqëruar nga kryetari i Aleancës në Gjilan, Nazim Gagica e kolegë të tjerë. Takimi me këta njerëz të mrekullueshëm e plot ide ishte shumë frytdhënës. Z. Shurdhani na informoi hollësisht për situatën e personave me nevoja të veçanta, duke përfshirë aspektin ligjor”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se kjo kategori e shoqërisë sonë përballet me neglizhencë nga institucionet.