Live

Hasani: Vjosa Osmani u përpoq ta paralizonte Gjykatën Kushtetuese, t’ia humbte kuorumin

20:03 / 11 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, beson se presidentja Vjosa Osmani tentoi ta godasë Gjykatën Kushtetuese dhe ta paralizojë atë, me dërgimin e kërkesës për sqarimin e pasojave të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues dhe e tërhoqi më pas me arsyetimin se gjyqtar raportues për rastin ishte Radomir Laban, që sipas saj, përbën “rrezik për sigurinë kombëtare”.

Hasani tha se Osmani abuzoi edhe me informatat e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Informatat e AKI-së nuk guxojnë të përdoren në publik, dhe unë po shoh që po i përdorin këta”, tha ai.

“Nëse ti thua që ka rrezik për sigurinë kombëtare dhe dyshohet që punon me BIA-n, dhe nuk ka procedurë penale ndaj tij, atëherë t’i po abuzon informatat që të vijnë të vijnë zyrtarisht. Me ligj ato janë të ndaluara”, tha Hasani.

Kërkesa e Osmanit e dërguar në Kushtetuese, Hasani tha se “ka qenë tërësisht fiktive”.

“Kur doli dhe reagoi u pa që ka qenë me qëllim e orkestruar për ta goditur gjykatën, për ta paralizuar, për t’ia humbur kuorumin”, tha ai.

Gjykata do ta humbte kuorumin në rast të dorëheqjes apo shkarkimit të ndonjërit prej shtatë gjyqtarëve që janë tani anëtarë të Kushtetueses.

“Është e qartë për mua si loti, që krejt përpjekja është që të gjykata ta humbet kuorumin”, theksoi Hasani.

Shpërndaje në

U Kopjua