Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, nga radhët e komunitetit serb, Radomir Laban, dyshohet se është bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA) dhe se ka raporte të afërta me kryeterroristin Milan Radoiçiq.
Në një konferencë për media të dielën, Haxhiu ka thënë se gjyqtari i Kushtetueses përbën kërcënim për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Serbia asnjëherë s’ka hequr dorë nga përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën dhe penguar zhvillimin e saj në të gjitha format e saj. Kohëve të fundit është arritur një sukses i madh i institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, në dokumentimin e aktivitetit të spiunazhit e sabotazhit të Serbisë në Kosovë. Një përfundoi me dënim sepse vetë ai e pranoi fajësinë. Serbia ka përdorur historikisht dhe përdor edhe sot agjenturën me qëllim që të shtrijë ndikimin në çdo vend fqinj, e sidomos në Kosovë. Në mesin e këtyre shembujve është edhe ai i Radomir Labanit”, ka thënë ajo fillimisht.
Sipas Haxhiut, Labani ishte arrestuar sa ishte zyrtar për inteligjencë në Doganën e Serbisë më 2006 dhe se ishte dënuar me gjashtë vjet heqje lirie. “Ky rast besohet të jetë momenti kur BIA e komprometoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë… si u lirua mbetet enigmatike, por Serbia e ka ende aktive arrestin ndaj tij. Enigmë mbetet edhe emërimi i tij por edhe qëndrimi në pozitën e gjyqtarit”, ka thënë ajo.
Ministrja në detyrë ka thënë se Labani ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin e rastit të Banjskës, Milan Radoiçiq. Ajo ka thënë se Labani ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve falë këtyre lidhjeve. Haxhiu ka thënë se Labani ende përfiton të ardhura financiare nga Serbia.
Teksa ka kritikuar zinxhirin e institucioneve për mosveprim në rastin e Labanit, sidomos pas konferencës së presidentes Vjosa Osmani, Haxhiu ka bërë thirrje që Prokuroria të nisë hetimet, apo nëse i ka nisur të tregojë publikisht për këtë. Ajo po ashtu ka ftuar Gjykatën Kushtetuese të nisë procedurën për shkarkimin e Labanit.
Presidentja Vjosa Osmani ditë më parë e tërhoqi kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me pasojat juridike pas dështimit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh. Ajo u shpreh se këtë e bëri pasi Radomir Laban u caktua gjyqtar raportues. Osmani bëri të ditur se Labani ishte konsideruar si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024.