Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk ka të drejtë rikandidimi.
Kështu ka thënë Albert Krasniqi, njohësh i punës së Kuvendit.
Këtë ai e ka bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se një kandidat ka të drejtë të kandidohet vetëm tre herë për kryetar të Kuvendit.
Sipas Krasniqit, Haxhiu tashmë e ka konsumuar këtë mundësi duke qenë se e njëjta është propozuar pesë herë dhe nuk ka arritur të marrë votat.
“Duke qenë se votimi për kandidat/e për kryetar/e të Kuvendit nuk mund të përsëritet më shumë se tre herë për të njëjtin person, dhe se propozimi i parë i LVV-së për kandidaten Albulena Haxhiu ka qenë i pasuksesshëm për pesë herë, ajo nuk mund të rikandidohet sërish”, tha Krasniqi në një postim në Facebook.
Ai thotë se në vijimin e seancës konstituive, LVV duhet të propozojë një kandidat/e tjetër për këtë post.