Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për protestën e paralajmëruar më 7 gusht, duke theksuar se ajo përfaqëson një thirrje për mbrojtjen e Republikës dhe vlerave të përbashkëta.
“Një ushtri çlirimtare me një emblemë e me një qëllim, për një Republikë të lirë, të pavarur dhe të drejtë për të gjithë”, ka shkruar Haziri në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Haziri thekson se protesta është një reagim qytetar në mbrojtje të qëllimit të përbashkët dhe idealeve për të cilat është themeluar shteti i Kosovës.
Sipas tij, pjesëmarrja në këtë protestë nuk është vetëm politike, por një angazhim në emër të vlerave kombëtare dhe demokratike: “Në emër të atdheut, familjes e Zotit, dje, sot e nesër!”.
Nesër, me fillim nga ora 17:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka thirrur protestë gjithëpopullore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale.