Edhe ky përvjetor i pavarësisë, Kosovën e gjen me njërën nga plagët më të madha të saj, fatin e personave të zhdukur. Edhe 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, familjarët e të zhdukurve vazhdojnë të jetojnë me mungesën e më të dashurve të tyre.
Kryetari i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti, thotë se Serbia vazhdon të bëjë politikë me të zhdukurit e luftës në Kosovë.
Në një intervistë në RTK, ai ka thënë se Serbia po vazhdon me politikën e vjetër, atë të refuzimit të bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Disa terma të përfshirë në një deklaratë që ka dalë si obligim nga tavolina e bisedimeve në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka bërë që kjo e fundit ta refuzojë nënshkrimin e saj, që prej shtatorit të vitit 2021. Fjala është për deklaratën që i bën ligjërisht obliguese të dyja palët, që të ecin përpara në zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve dhe që kërkon hapjen e arkivave”, u shpreh ai.
Ai shtoi se termi “persona të zhdukur me forcë” ka bërë që Serbia ta refuzojë nënshkrimin e kësaj deklarate.
“Disa mospajtime kanë qenë, me palën serbe, dhe kryesorja ka qenë “persona të zhdukur me force” dhe jo vetëm si term, por se ky term është i vetmi term i nxjerrë nga OKB-ja, nga një konvente ndërkombëtare,që tregon saktë cka ka ndodhë në Kosovë. Në Gusht të vitit 2022 kemi arritur në një harmonizim të afërt të kësaj deklarate, dhe Kurti ka qenë i gatshëm, ashtu siç e ka thënë në media, ne momentet e fundit, Vuçiq është tërheqë, e dimë pse është tërheqë, sepse ata kanë mendua që ne nuk do të jemi të gatshëm, ata duan të bëjnë politike, dhe kanë interes të prolongojnë këtë çështje”, deklaroi Hoti.
Sipas tij, Serbia vazhdimisht po kërkon largimin e këtij termi nga deklarata.
“Befasohem me bashkësinë ndërkombëtare që nuk e kushtëzon Serbinë me temën e të pagjeturve, marrë për bazë të gjitha faktet që Kosova i ka në tavolinë për të zhdukurit”, tha Hoti.