Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti ka thënë se vendimi i ZRRE-së për liberalizim të tregut të energjisë ka krijuar pasiguri për furnizim tek bizneset.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se kjo situatë është e pakuptimtë që do të ketë pasoja.
Ai ngre dyshime për agjendën e ZRRE dhe Qeverisë aktuale, sic e quan ai “ e mashtrimit’’.
Postimi i plotë:
Vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, i cili nesër hyn në fuqi, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese.
Kjo gjendje është e pakuptimtë. Do të duhej të mbaheshin konsultime e të bëheshin shumë përgatitje. Vendimi do të duhej të dakordohej me komunitetin e bizneseve.
Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë.
Si rezultat, brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun tonë.
Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës.