Qeveria në detyrë e ka emëruar drejtor të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), Hysen Muzliukajn, ish-këshilltarin e Faton Pecit dhe ish-drejtorin komunal në Komunën e Mitrovicës, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Muzliukaj është emëruar sot në krye të IKAP-it, në një vendim të miratuar në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Ai do të ketë mandat katër vjeçar si drejtor i IKAP-it, tha sot në mbledhjen e qeverisë në detyrë, Xhelal Sveçla.
Muzliukaj, bashkë me ish-nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujkën, ishin arrestuar në një aksion të Prokurorisë Speciale në vitin 2023.
Prokuroria Speciale kishte njoftuar më 14 korrik 2023 se Muzliukaj dhe Mujka janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të korrupsionit.
Pas lajmit të arrestimit, Muzliukaj ishte liruar nga detyra e këshilltarit të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Atij i ishte bastisur banesa me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.
Hysen Muzliukaj, ishte liruar që të mbrohet në liri më 15 korrik 2023, një ditë pasi ishte arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Muzliukaj, ishte emëruar këshilltar politik i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, në vitin 2023.
Më parë, ai kishte ushtruar funksionin e drejtorit të Kadastrit dhe Pronës në kabinetin e Agim Bahtirit, ish-kryetarit të Komunës së Mitrovicës.