Live

I plagosuri në Shkodër është vëllai i Denis Brajoviçit, u qëllua me breshëri plumbash

09:21 / 08 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Shkodra është tronditur sërish nga një ngjarje e rëndë kriminale ku një person është qëlluar me armë zjarri mëngjesin e kësaj të hëne në mes të qytetit, pranë godinës së bashkisë.

I plagosur rëndë ka mbetur Erdogan Vaso, vëllai i Denis Brajoviçit, transmeton klankosova.tv.

Sipas Euronews.al, viktima është qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Denis Brajoviç akuzohej për vrasje dhe lidhje me Ervis Martinajn.

Personi në foto është Denis Brajoviç, i arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, në muajin shkurt 2024, rreth 7 muaj pasi SPAK e shpalli atë në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

36-vjeçari dyshohet se është autori i vrasjes së Gjin Boriçit, më 9 Gusht të vitit 2020. Arrestimi i Brajoviç, u bë falë shkëmbimit të informacioneve mes

Interpol Tirana dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Roli i 36-vjeçarit në ngjarjen për të cilën akuzohet u zbulua pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC, nga ku rezultoi se porositës i vrasjes së Boriçit ishte Ervis Martinaj.

Konkretisht ky i fundit përmes biznesmenit Pëllumb Gjoka i kishte kërkuar Behar Bajrit, gjithashtu i arrestuar në operacionin Metamorfoza, të ekzekutonte Gjin Ndoj Boriçin.

Kështu Behar Bajri i cili edhe pse rezulton të ketë patur marrëdhënie shoqërore me Boriçin, i jep porosi Denis Brajoviçit për të finalizuar ekzekutimin.

Në këmbim të vrasjes së tij, Ervis Martinaj do të realizonte vrasjen e Kleant Musabelliut, ngjarje kjo që nuk u krye.

Për ekzekutimin e Musabelliut ishte i interesuar biznesmeni Gjoka, pasi kishte tentuar ta vriste këtë të fundit në vitin 2017.

Shpërndaje në

U Kopjua