Ish-deputeti dhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, duke folur për televizionin publik serb e ka vlerësuar situatën në pjesën veriore të vendit.
Pas shtimit të prezencës policore si pasojë e sulmeve të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve policorë, por edhe qytetarëve të vendit, reagimi serb ka qenë histerik, me drejtorin e të ashtuquajturës “zyrë për Kosovën” në qeverinë serbe Petar Petkoviç madje duke llogaritur në disa pika të Rezolutës 12/44 për të futur në Kosovë rreth 1 mijë forca të sigurisë serbe.
“Një tjetër natë e pagjum është para nesh për shkak të përpjekjeve të Prishtinës për të pushtuar veriun e Kosovës. Për dikë jashtë mund të duket se situata është normale, por që nga ky mëngjes po vlon”, ka thënë Simiç.
Simiç, në linjë me diskursin e Beogradit, tha se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “synon dëbimin e serbëve nga ato zona”.
Sipas tij, “nuk ka pasur rrethana destabilizuese për të justifikuar dërgimin e policisë në veri të Kosovës”./Reporteri.net/