Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se janë regjistruar 19 raste të reja me HIV/AIDS në vend gjatë këtij viti.
IKSHPK-ja tha se është regjistruar një rast i vdekjes si pasojë e AIDS-it, që është faza më e avancuar e infeksionit nga virusi HIV (Human Immunodeficiency Virus).
“19 raste të reja me HIV/AIDS (16 raste të gjinisë mashkullore, 3 raste të gjinisë femërore) ⚠️ 1 rast vdekjeje si pasojë e AIDS-it”, thuhet në njoftim.
Nga viti 1986 deri në vitin 2025, IKSHPK tha se janë regjistruar 234 raste dhe 53 vdekje në Kosovë si pasojë e HIV/AIDS-it.
Më tej, Instituiti i Shëndetit tregoi se çfarë duhet të dihet për këtë virus dhe si bartet ai.
“ℹ Çfarë duhet të dini? HIV është virus që sulmon sistemin imunitar dhe, nëse nuk trajtohet, çon në AIDS – fazën më të rëndë të infeksionit. 📌 Nuk ka shërim, por me trajtim të rregullt, personat HIV pozitiv mund të jetojnë gjatë dhe shëndetshëm, si dhe të mos e bartin virusin tek të tjerët”.
“🛡 Si bartet HIV? – Marrëdhënie seksuale pa mbrojtje – Përdorim i përbashkët i shiringave/gjilpërave – Nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose gjidhënies. 🚫 HIV nuk bartet përmes: përqafimit, shtrëngimit të dorës, ushqimit të përbashkët, ujit, ajrit apo pickimit të mushkonjave”.
Për ta parandaluar infektimin, IKSHPK tregoi edhe masat.
“💡 Parandalimi: – Përdorni kondom gjatë çdo kontakti seksual – Përdorni vetëm mjete sterile për injektim – Testohuni rregullisht në qendrat për këshillim dhe testim vullnetar (falas, anonim, konfidencial) 📍 Qendrat për testim gjenden në: – Klinika Infektive QKUK – Qendra e Studentëve UP, Prishtinë – OJQ Labirinti (Prishtinë, Prizren, Gjilan) – CSGD Prishtinë”.