Me pak se 31% të buxhetit për barna dhe pajisje medicinale i ka shpenzuar Ministria e Shëndetësisë përgjatë nëntëmujorit të 2022-ës.
Përkthyer në para, MSh i pati 38 milionë euro të dedikuara për këtë kategori ndërsa i shpenzoi veç 12 milionë. Kjo sipas një raporti zyrtar të dikasterit të financave në qeveri.
Ndërkaq jo më moti se dy javë më parë Klan Kosova ka raportuar se QKMF-të në disa komuna prej muajsh nuk janë furnizuar nga MSH me infuzione dhe se fundmi as me disa terapi ampulare.
Gjithë kjo situatë nga Instituti Demokratik i Kosovës po vlerësohet si performancë e dobët e ministrisë për shkak se as planin e punës të cilën e ka paraparë kur është aprovuar Ligji i Buxhetit nuk e ka përfillur.
Hulumtuesja e kësaj organizate jo-qeveritare, Diana Metushi thekson se Kosova nuk e ka luksin për të pasur suficit.
Megjithëkëtë KDI ka hasur se 30% e tenderëve për furnizim ilaçesh nga Lista Esenciale, si në Ministrinë e Shëndetësisë dhe shërbimin spitalor dështojnë në mungesë të ofertueseve.
Derisa, MSh ka një kontratë me UNOPS-in, ku kjo e fundit blen ilaçe prej 82% nga furnitorët vendor, procedurë kjo sipas KDI-se, bëhet me çmime më të larta.
Metushi tregon se përderisa përmes UNOPS-it po sigurohen ilaçet dhe qytetarët po e bëjnë këtë edhe në barnatoret private, atëherë problemi qëndron tek institucionet sa i përket procedurave tenderuese.