Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Kolë Puka, avokatit Veton Puka, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, dhe e ka kthyer çështjen penale në rigjykim dhe vendosje.
Ndryshe, më 24 tetor 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-gjyqtarit Kolë Puka, i akuzuar për shpëlarje parash, duke e dënuar me dënim unik prej 10 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Kundër këtij aktgjykimi, kishte parashtruar ankesë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozimin që Gjykata e Apelit të aprovojë ankesën dhe aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë ashtu që të pandehurit t’i shqiptohet një dënim më i ashpër, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, mbrojtësi i të pandehurit Puka. avokati Veton Puka, kishte parashtruar ankesë për shkak të shkeljes së Ligjit Penal, shkeljes së dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit mbi sanksionin penal, me propozimin që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën e mbrojtjes ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar, dhe të pandehurin ta lirojë nga akuza, apo që të anulojë aktgjykimin dhe çështjen penale ta kthejë në rigjykim dhe vendosje.
Prokuroria e Apelit, kishte paraqitur parashtresë me shkrim, me propozim që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, ashtu që të ndryshohet aktgjykimi lidhur me sanksionin penal dhe të shqiptohet një dënim më i ashpër ndaj të pandehurit me burgim, ndërsa ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të pandehurit të refuzohet si e pabazuar.
Në vendim thuhet se Gjykata e Apelit pas analizimit të aktgjykimit të ankimuar, pretendimeve ankimore të Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësit të akuzuarit, propozimit të Prokurorisë së Apelit, dhe duke analizuar shkresat e lëndës gjeti se ankesa e mbrojtësit është e bazuar ndërsa ankesa e Prokurorisë është jo lëndore.
Gjykata e Apelit pretendimet ankimore të mbrojtjes lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale i ka gjetur të bazuara, nga se aktgjykimi është marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale shkelje këto që janë ne kundërshtim me nenin 384 e nenin 369 të KPP-ës, lidhur me dispozitivin dhe faktet që theksohen në dispozitiv si dhe arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë në raport me atë se çka duhet të përmbaj aktgjykimi në arsyetim.
“Më konkretisht kolegji vlerëson se aktgjykimit i mungon arsyetimi për faktet vendimtare në raport me elementet e veprës penale për të cilën është ngarkuar me aktakuzë i pandehuri, e që kjo përbën shkelje nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 1.10 gjë që konsiderohet se aktgjykimit i mungon tërësisht arsyetimi për faktet vendimtare që drejtpërdrejt ndërlidhen me elementet e veprës penale për të cilën ngarkohet i pandehuri”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Po ashtu, në arsyetim të vendimit thuhet se kolegji i gjykatës së Apelit ka pasur parasysh se në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar nuk përshkruhen faktet që kanë të bëjnë me elementet e veprës penale, por përshkruhen aspektet e veprimeve me blerjet , regjistrimet, shitblerjet e pasurisë, këto si të tilla në mungesë të fakteve të cilat përbëjnë figurën e veprës penale të shpëlarjes së parave, e bëjnë aktgjykimin përveç me shkelje nga neni 369 paragrafi 4 te KPP-ës, edhe me vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Kolegji ka gjetur të bazuara pretendimet e mbrojtjes lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar gjendjen faktike që ka të bëjë me formën e kryerjes së veprës penale të shpëlarjes së parave për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor.
Sipas Apelit, nga aktgjykimi i ankimuar rezulton se gjykata nuk ka vërtetuar se në veprimet e të pandehurit, a ekziston, si formë e veprimit, konvertimi apo transferimi apo maskimi dhe fshehja, në raport me pasurinë e vet të pandehurit apo se ai ka ndihmuar të bashkëpandehurin për të cilin është pushuar procedura penale.
“Duke qenë se është shpallur për këto tri pika fajtor rezulton se gjykata nuk ka vërtetuar drejt se cilin veprim konkret e ka kryer i pandehuri, a ka bërë transferim, a ka bërë konvertim apo ka fshehur prejardhjen e pasurisë gjegjësisht se cilindo nga këto veprime a e ka bërë në raport me pasurinë e tij që është derivat i veprës penale apo e ka ndihmuar tjetrin në pasurinë e tij që ajo pasuri e tjetrit është derivat i veprës penale apo aktivitetit kriminal”, thuhet tutje në vendim.
Në vendim thuhet se të gjitha këto e bëjnë aktgjykimin e ankimuar që të jetë i përfshirë në shkelje esenciale të karakterit absolut dhe relativ aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë e të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit ngase me shkeljet e tilla një aktgjykim nuk mund të qëndroj juridikisht.
Tutje, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit kolegji i gjen të bazuara pretendimet e mbrojtjes lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar gjendjen faktike që ka të bëjë me formën e kryerjes së veprës penale të shpëlarjes së parave për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 gusht 2014, i akuzuari Kolë Puka është marrë me aktivitet kriminal nga viti 2002-2009, duke keqpërdorur pozitën e gjyqtarit pranë Gjykatës Komunale në Klinë, në atë mënyrë që gjatë aktivitetit kriminal ka përfituar mjete financiare në shuma milionëshe.