Live

“Ishte e tmerrshme”, flasin dëshmitarët që panë aksidentin me pesë viktima në Luksemburg

09:40 / 03 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Një aksident tragjik rrugor ndodhi të hënën në mbrëmje midis Feulen dhe Heiderscheid, i cili mori jetën e pesë personave, tre prej të cilëve ishin kosovarë.

Administrata e Transportit Publik ka konfirmuar për L’essentiel se një nga automjetet e përfshira ishte “një furgon nga një kompani që operonte për shërbimin Adopto”.

Sipas RTL, dy viktimat në këtë automjet ishin shoferi dhe një përfitues i këtij shërbimi transporti të dedikuar për personat me aftësi të kufizuara.

L’essentiel tutje raporton se të rinjtë kosovarë, Edoniku, Uka dhe Ujkani, ishin banorë të Wiltz, dhe se ata filluan shkollimin në shkollën fillore Wiltz përpara se të vazhdonin në Lycee du Nord.

“Ujkani po përgatitej të fillonte vitin e fundit të shkollës së mesme atje, ndërsa Edoniku po mendonte për arsim të lartë”, raporton L’essentiel.

Aksidentin tragjik e pa nga afër Emmanuel, 79 vjeçar dhe Marie 70. Me furgonin e tyre të parkuar në një parking të vogël pranë vendit të ngjarjes, çifti francez në pension nga Bethune, u kthy në N15, në vendin ku panë aksidentin që la pesë persona të vdekur të hënën rreth orës 6:10 të pasdites.

Sipas dëshmisë së tyre të dhënë për L’essentiel, në vendngjarje kishte vetëm disa copa xhami dhe plastike të thyer, asfalt i djegur dhe bar që ende dëshmonin për tragjedinë e ditës së mëparshme.

“Ishte e tmerrshme, vërtet e tmerrshme, nuk kishte asgjë që mund të bënim”, tha Marie për L’essentiel.

Çifti turistik ishte në rrugën midis Francës veriore dhe Alsasës dhe donte të vizitonte Luksemburgun.

“Kjo rrugë ishte e pastër, e drejtë, me shikueshmëri të mirë. Ne po ngisnim me një shpejtësi normale, rreth 70 km/orë. Ne ishim automjeti i parë, rreth 300 metra pas furgonit që u godit”, tha Emmanuel.

“Papritmas, e pamë të ngrihej dhe të binte. Nuk e pashë makinën e zezë që e përplasi. Ishte fshehur nga furgoni”, ka thënë pensionisti i tronditur.

“E kuptuam menjëherë se ishte serioze. U afruam për të ndihmuar, vrapuam për të bërë diçka”, tha ai më tej.

Sipas dëshmitarëve, furgoni i bardhë ishte në anë dhe makina “u shtyp plotësisht” ndërsa ekipet e para të shpëtimit mburriten brenda pak minutash.

“Pati shpërthime të vogla, kështu që na u desh të tërhiqeshim. I lamë zjarrfikësit të punonin”, tha ai, raporton L’essentiel, transmeton Klankosova.tv.

Shpërndaje në

U Kopjua