Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj J.Zh (42-vjeç), i cili u arrestua nën dyshimin se gjatë një kontrolli nga ana e zyrtarëve policorë, në veturën e tij janë gjetur rreth 6 mijë e 300 fishekë.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për personin e arrestuar, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, tha Preteni.
Ndryshe, shtetasi serb u arrestua të martën, në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, ku gjatë kontrollit nga ana e Policisë, në veturën e tij u gjetën mbi 6 mijë fishekë.
“Policia gjatë kontrollit të automjetit, ka gjetur rreth 6300 (gjashtë mijë e treqind) copë fishekë. I dyshuari (J.Zh., viti i lindjes 1981) është shoqëruar në polici. I njëjti është intervistuar, ndaj tij është iniciuar rasti penal dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thuhej në njoftim.
Ndryshe, lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se kjo është një fitore tjetër për sunimin e ligjit.