Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla ishin dy të propozuarat e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit gjatë seancës të së mërkurës, e që asnjëra nuk mori votat për këtë post.
Derisa Haxhiu mori gjithsej 57 vota për, Gërvalla mblodhi një më pak, pasi Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, nuk ngriti dorën për ta votuar bashkëpartiaken e saj, transmeton Klankosova.tv.
Në studion e “Ora Shtatë”, lidhur me këto zhvillime në Kuvendin e Kosovës diskutuan analistja Magbule Shkodra, gazetari Ardian Gaxherri, dhe gazetari Arlind Imeri.
Sipas Shkodrës, është mirë që Lëvizja Vetëvendosje po zbaton aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese duke mos ndjekur propozimin e njëjtë për kryekuvendar/e.
“Është mirë që dje u vazhdua seanca dhe Lëvizja Vetëvendosje po zbaton aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, në kuptimin që i është përmbajtur asaj që nuk vazhdoi me propozimin e njëjtë, por e ndërroi propozimin. Por sikur të zbatohej aktgjykimi në plotni, ne do të kishim të zgjedhur dje kryeparlamentarin, sepse Lëvizja Vetëvendosje do të vepronte në kompromis, dhe në mirëbesim do të arrinte një marrëveshje me dikë, dhe do të votohej njëra kandidate”, tha Shkodra.
Ndër të tjera ajo shton se VV në seancën e 22 gushtit, mund të propozojë Mimoza Kusari-Lilën për kryetare të Kuvendit.
Gaxherri nga ana tjetër thotë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i VV-së, i shfrytëzon gratë.
“Albin Kurti i shfrytëzon gratë, sepse gratë janë krijesa e butë, meshkujt është më vështirë të përballen me gratë, është më vështirë me ua ngrit zërin ndaj tyre, sepse trajtojnë më me butësi më me finesë”, u shpreh Gaxherri.
Me Gaxherrin u pajtua edhe gazetari Imeri, raporton Klankosova.tv.
“Albin Kurti e shfrytëzon secilin njeri për aq kohë sa i nevojitet me shkel mbi të për pushtet. Ai nuk e ka problem me e shkel dhe me ia ulë dinjitetin secilit individ, derisa të arrijë qëllimin e tij për marrjen e pushtetit”, tha ai.