Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e ndihmojnë Kosovën që të kryejë hetimin lidhur me sulmin e 29 nëntorit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varragë të Zubin Potokut.
Kasanof ka thënë se është kritike që hetimi të ndjekë faktet në terren dhe të shqyrtojë të gjitha infoamcionet, teksa ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë që të ketë një hetim të besueshëm për këtë sulm.
“Ai ishte një sulm i tmerrshëm. E kemi dënuar me fjalët më të forta të mundshme dhe do ta ritheksoj këtu që dënojmë çdo lloj sulmi të tillë. Po e ndihmojmë Kosovën dhe qeverinë e Kosovës që të kryejnë hetimin. Kemi ndihmuar duke vënë në dispozicion burime për këtë qëllim. Dhe mendojmë se është me rëndësi kritike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren, të shqyrtojë si duhet të gjitha informacionet aty dhe të punojnë me partnerët ndërkombëtarë në këtë kontekst për t’u siguruar që do të ngrihet një hetim i besueshëm. Ajo që mund të them është që akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të fortë”, ka deklaruar Kasanof në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Kasanof është pyetur edhe për administratën e re amerikane dhe qasjen në dialog. Ai ka refuzuar të komentojë për politikat e administratës Trump, mirëpo ka thënë se administrata aktuale do të mbetet e përqëndruar tek ndihma për Kosovën dhe mbështetja për të.
Ai tha se do të vazhdojnë të përsërisin kërkesën edhe në Kosovë edhe në Serbi, për përpjekje për përparim në dialog.
“E përsëris, … nuk është me vend që të flas për një administratë të re dhe se cilat do të jenë politikat e saj. Kjo administratë, edhe teksa i afrohet fundit, do të mbetet e përqendruar tek ndihma për Kosovën, mbështetja për Kosovën, jo vetëm për reformat dhe përpjekjet që po bëjnë në rrugën e integrimit me strukturat euro-atlantike, por edhe teksa punojnë për çështje që janë në thelb të dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Po mbështesim një përfundim të suksesshëm dhe do të vazhdojmë t’u kërkojmë të dyja qeverive në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të bërë përparim në atë dialog. Do të vazhdojmë të ndihmojmë në këtë drejtim”, ka thënë Kasanof.