Live

Katër dëshmitarë intervistohen për vrasjen e rëndë në Lipjan

10:55 / 05 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Enver Bajraktari, që u raportua i zhdukur të dielën në Lipjan, raportohet se është gjetur i vdekur dhe i varrosur në një arë të hënën në mesditë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar gjetjen e një trupi të pajetë të varrosur në një arë në fshatin Baicë të Lipjanit, mirëpo nuk e ka konfirmuar identitetin e viktimës.

Megjithatë, ishin familjarët e viktimës ata që konfirmuan identitetin e tij.

Në raportin 24-orësh, Policia njofton sot se janë intervistuar katër dëshmitarë për këtë rast, i cili është cilësuar si “vrasje e rëndë”.

“Në një arë është gjetur i varrosur një trup i pajetë, mashkull rreth moshës 50-60 vjeçare, trupi i cili sipas IML-së është i freskët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori kujdestar bashku me njësinë e zhvarrimit e kanë nxjerr trupit e pajetë, momentalisht nuk dihet identiteti i tij”.

“Në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarët meshkuj kosovarë. Rasti është duke u hetuar”, ka thënë PK-ja.

Burime të Klankosova.tv bënë me dije se Bajraktari humbi jetën në rrethana të dyshimta dhe fakti më tronditës është se u gjet i varrosur nga familja.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë ka iniciuar rastin dhe do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme që çojnë në zbardhjen e ngjarjes që tronditi familjen Bajraktari.

Shpërndaje në

U Kopjua