Live

KEDS-i nis shkyçjen e bizneseve që nuk kanë marrëveshje me furnizues të licencuar

11:16 / 16 Gusht 2025

Nga Kosova Live

KEDS-i ka njoftuar se sot ka filluar me shkyçjen e një mijë e 400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë arritur marrëveshje me furnizues të licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

“Siç kemi informuar para pak ditësh se në respektim të njoftimit-vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të datës 13 gusht 2025, KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej Furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja”, thuhet në postimin e KEDS-it në Facebook.

“Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë, të cilët nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike”.

KEDS-i shtoi se i inkurajon këta konsumatorë që të lidhin sa më pare një marrëveshje me ndonjërin prej furnizuesve të licencuar.

“Po ashtu, ju njoftojmë se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani, për çka KEDS-i ka mobilizuar ekipe në terren gjithandej në Kosovë”.

“KEDS vazhdon të inkurajojë këta konsumatorë që sa më parë të lidhin marrëveshje me një Furnizues të licencuar nga ZRRE, lista e të cilëve gjendet në ueb faqen e ZRRE-së, për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike”.

Shpërndaje në

U Kopjua