Live

Këshilli i BE-së miraton vendimin për zgjatjen e mandatit të Miroslav Lajçakut deri në janar 2025

14:59 / 26 Korrik 2024

Nga Kosova Live

Këshilli i BE-së sot ka miratuar vendimin për vazhdimin e mandatit të të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështjeve të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, deri më 31 janar 2025.

Këshilli i BE-së miratoi sot një seri vendimesh për zgjatjen e mandateve ekzistuese të tre të dërguarve të posaçëm të BE-së, përfshirë Lajçakun, si dhe emërimin e katër të dërguarve të rinj të posaçëm të BE-së, mes të cilëve janë përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë dhe Bosnjë e Hercegovinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Përfaqësuesit Specialë të BE-së propozohen nga Përfaqësuesi i Lartë dhe emërohen nga Këshilli për të promovuar politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të veçanta dhe për t’i siguruar BE-së një prani politike aktive në ato zona, thuhet në njoftimin e lëshuar sot.

Vetë Miroslav Lajçak konfirmoi muajin e kaluar se nuk është afër fundit të mandatit të tij si i ngarkuar për t’u marrë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se puna e tij vazhdon.

“Puna ime vazhdon” dhe “nuk do të shkoj askund”, i tha ai i pyetur për punën në kuadër të dialogut.

“Ndoshta nuk jam aq afër fundit të mandatit tim sa mendohej fillimisht. Pra, ajo që mund të them është se puna ime vazhdon. Unë nuk do të shkoj askund së shpejti. Nuk jam ende në disponim për t’i dhënë këshilla pasuesit tim”, tha Lajçak.

Në prill, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell, emëroi Lajçakun si ambasador të ri të BE-së në Zvicër.

Nën Lajçakun si emisar, në vitin 2023, është arritur edhe Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por që ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

Me gjithë trysninë perëndimore, marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër ende nuk ka nisur të zbatohet, ndonëse Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimeve evropiane.

Në takimin e fundit të nivelit të lartë që u mbajt më 26 qershor në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi ta takojë presidentin serb, Vuçiq. Ai paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë.

Shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...