Live

Kim Jong Un zhduk çdo gjurmë të ADN nga Pekini

21:40 / 03 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Një ndër momentet që tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare gjatë zhvillimeve për paradën ushtarake kineze ishte takimi i udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, me presidentin rus Vladimir Putin.

Pas bisedës, e konsideruar prej të dyve si vëllazërore, stafi i liderit koreano-verior hyri në sallën ku u mbajt takimi dhe pastroi të gjitha mobiliet që ishin prekur nga Kim.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, një pjesëtar i stafit të tij shfaqet duke pastruar krahët prej druri të karriges dhe tavolinën. Ndërsa punonjësja tjetër merr gotën e tij të ujit. Kjo me qëllimin për të zhdukur çdo gjurmë të ADN-së së udhëheqësit të tyre.

Mbetet e pazbuluar arsyeja pse Kim Jong Un urdhëroi këtë veprim. I frikësohet inteligjencës kineze apo ruse? Edhe pse mes miqsh besimi është mirë, por mosbesimi është akoma më mirë.

Kjo praktikë nuk është e panjohur. Mediat ndërkombëtare kanë publikuar më herët një raport i cili tregon se edhe Vladimir Putin kujdeset për mbrojtjen e ADN-së. Sa herë udhëton jashtë, truprojat e presidentit rus mbledhin mbetjet e nevojave personale në një valixhe të posaçme për t’i kthyer më pas në Moskë. Një praktikë që aplikohet prej vitesh nga Putini dhe synon parandalimin e mbledhjes së informacionit në lidhje me shëndetin e tij përmes lëngjeve trupore.

Shpërndaje në

U Kopjua