Themelimi i kësaj agjencie ka qenë prioritet i caktuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2016
Në kuadër të prioriteteve që Agjenda për Reforma Evropiane i kishte caktuar Kosovës në vitin 2016, ka qenë edhe themelimi i Agjencisë për Kurrikulë, Standarde e Vlerësim. Megjithatë Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë inciativë drejt themelimit të saj. Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë theksojnë që institucionet nuk po punojnë mjaftueshëm në këtë fushë.
Numrit të agjencive në Kosovë, do të duhej t’i shtohej edhe një tjetër që nga viti 2017.
Kjo pasi që në mesin e prioriteteve për arsim që Komisioni Evropian i kishte caktuar Kosovës, ndër to ishte edhe themelimi i Agjencisë për Kurrikulë, Standarde dhe Vlerësim.
Por në raportet e Agjendës për Reforma Evropiane, ndër vite ky prioritet vlerësohet me të kuqe, e që nënkupton se Kosova nuk ka ndërmarrë as edhe një hap drejt themelimit të saj.
Njohësit e çështjeve arsimore, vlerësojnë se themelimi i kësaj agjencie do të ndikonte që kurrikulat, standardet e arsimit dhe vlerësimi të jenë politikisht të pandikuara.
“Do të monitoronte zbatimin e kurrikulës së re e cila ka hyrë në fuqi në të gjitha shkollat nga viti 2017, pastaj do ta menaxhonte testin e arritshmërisë dhe testin e maturës nga pozicioni i një agjencie të pavarur dhe do t’i përcaktonte standardet në arsim”, thotë Dukagjin Pupovci.
Por, sipas Pupovcit, agjencitë në Kosovë janë të ndikuara nga politika.
“Në kushtet tona, kur ndikimi politik shtrihet edhe nëpër agjenci të cilat duhet të jenë të pavarura, mendoj se kjo punë do të mund të kryhej edhe me një organizim më të mirë brenda MASHT-it”.
Pupovci shprehet se dy qeveritë e kaluara nuk kanë punuar mjaftueshëm në zbatimin e asaj që kanë planifikuar.
Sipas tij qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet arsimin.
“Prioritet duhet të jetë përmirësimi i cilësisë në arsimin parauniversitar, duhet parë në çfarë mënyre po zbatohet kurrikula e re”.
Se Kosova nuk ka zbatuar prioritetet e caktuara për arsim, e kanë theksuar edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Përmes një përgjigjeje me shkrim nga ky institucion i kanë thënë televizionit T7 se institucionet duhet të angazhohen më shumë në fushën e arsimit.
“Raporti i fundit për Kosovën thekson se Kosova nuk e ka adresuar implementimin e strukturës së re të kurrikulës për edukimin fillor dhe të mesëm dhe liston si faktorë dëmtues: mungesën e stafit të kualifikuar të mësuesve, materialeve mësimore e pajisjeve dhe sistemin e pazhvilluar të vlerësimit të nxënësve. Prandaj është shumë e rëndësishme që autoritetet e Kosovës t’i adresojnë këto probleme dhe të sigurohen se fëmijët e Kosovës marrin arsimimin me cilësi të krahasueshme me atë të kolegëve të tyre në Bashkimin Evropian”.
Nga zyra e BE-së thanë se janë të gatshëm t’i mbështesin institucionet e Kosovës në këtë fushë.