Çdo votues jashtë Kosovës që regjistrohet për të votuar me postë nga jashtë vendit, do të largohet nga listat e votuesve që shpërndahen në vendvotime në ditën e zgjedhjeve, në Kosovë.
Emri i këtyre votuesve që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, do të mbetët vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës.
Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili ka thënë se është detyrim ligjor për KQZ-në që secili votues që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, emrin e tij ta largojë nga lista e votuesve në Kosovë.
Informacionin ua transmeton individualisht KQZ-ja të gjithë atyre të cilët aplikojnë dhe arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës.
“Është detyrim ligjor për KQZ-në, që secili votues që regjistrohet për të votuar nga jashtë Kosovës, emrin e tij ta largojë nga lista e votuesve e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve në Kosovë. Pra, një shtetasi Kosovës, që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij në listën e votuesve jashtë Kosovës. Këtë informacion, KQZ ua transmeton individualisht të gjithë atyre shtetasve të cilët aplikojnë dhe arrijnë që të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Elezi ka shpjeguar edhe rastet kur ndonjë shtetas, pasi arrin të regjistrohet si votues jashtë Kosovës, kërkon që të rikthehet në listën e votuese brenda Kosovës për të votuar fizikisht në vendvotimin e tij.
Në këtë rast, Elezi ka theksuar se votuesi i regjistruar jashtë Kosovës mund të parashtrojë kërkesë në KQZ, respektivisht te shërbimi votues për t’u kthyer në listën votuese brenda Kosovës dhe kjo mund të bëhet deri në 24 orë, para përfundimit të periudhës për kundërshtimin e listës së votuesve.
Më 23 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur afatin për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas afatit të përcaktuar nga KQZ-ja, periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës do të zgjasë 38 ditë, deri më 29 gusht 2025.
Për dallim nga zgjedhjet e përgjithshme në të cilat qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, kanë pasur mundësi të votojnë edhe në përfaqësitë diplomatike, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kjo mundësi nuk do të ekzistojë, por vetëm përmes postës.