Live

Kur do të publikohet aktgjykimi i plotë për konstituimin e Kuvendit? Flasin nga Kushtetuesja

15:16 / 14 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Gjykata Kushtetuese, ka bërë të ditur se vendimi i plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit do të publikohet në faqen zyrtare pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore dhe administrative.

Në një përgjigje për FrontOnline, nga kjo Gjykatë kanë bërë të ditur se vendimi për rastet KO193/25 dhe KO196/25 do të bëhet publik vetëm pasi të përmbyllen të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së saj, transmeton Periskopi.

Nga gjykata thonë pas finalizimit të tekstit, aktgjykimi do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës dhe më pas do të dërgohet për botim në Gazetën Zyrtare.

“Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KO193/25 dhe KO196/25 do të publikohet pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës përkitazi me publikimin e vendimeve.

Pas finalizimit të tekstit, aktgjykimi do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe i njëjti do të dërgohet për publikim edhe në Gazetën Zyrtare”, thuhet në përgjigjen e gjykatës Kushtetuese.

Seanca konstituive nuk mund të mbahet derisa Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e plotë.

Ndërsa, në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht të Gjykatës Kushtetuese urdhërohen deputetët e Kuvendit të Kosovës ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare – e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – por këtë herë me udhëzime më të qarta.

Po ashtu thuhet se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve.

Gjykata ka konstatuar që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Shpërndaje në

U Kopjua