Live

Kur do të thirret seanca e radhës konstituive – këto janë kushtet që duhet përmbushur

15:48 / 09 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të rikthehen në ulëset e tyre për të vijuar me seancën konstituive vetëm pasi aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të publikohet zyrtarisht në faqen e saj.

Kanë kaluar tashmë dy javë që nga ndërprerja e përpjekjeve për konstituimin e legjislativit të nëntë, pas masës së përkohshëm të Kushtetueses, e cila ndalonte çdo veprim parlamentar në këtë drejtim deri më 8 gusht.

Sipas vendimit të fundit të shpallur më 8 gusht, deputetët tani kanë në dispozicion 30 ditë për të përmbyllur procesin e konstituimit. Gjatë kësaj periudhe, kryesuesi i seancës ka të drejtë të thërrasë mbledhje të Kuvendit çdo 48 orë, apo edhe më shpesh në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, si parakusht për funksionalizimin e tij dhe votimi do të jetë në mënyrë të hapur.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se afati i ri për konstituimin e Kuvendit fillon vetëm pasi të jenë përmbushur tri kushte: publikimi i Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, shpallja e tij në Fletoren Zyrtare dhe përfundimi i afatit të masës së përkohshme. Ai beson se vazhdimi i seancës së re, e pesëdhjetë e pesta, do të thirret shumë shpejt.

Baraliu thekson se që nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit, fillon të rrjedhë afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja, brenda të cilit mund të thirren seanca çdo 48 orë ose edhe më shpesh, në varësi të rrethanave dhe mundësive teknike.

Sipas Baraliut, juridikisht është thelbësore që vendimi të shpallet në mënyrë zyrtare, pasi masa e përkohshme mbetet në fuqi derisa kjo të ndodhë.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu për KosovaPress vlerëson si urgjente publikimin sa më të shpejtë të vendimit në Fletoren Zyrtare.

“Pikërisht atëherë kur publikohet aktgjykimi i plotë, kur shpallet në fletoren zyrtare dhe kur kalon afati i masës të përkohshme zyrtare, kur të përmbushen këto kushte, atëherë fillon rrjedhë afati i ri prej 30 ditësh. Dhe brenda atij afati mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre për vendime dhe veprime anëtarët e kuvendit, gjegjësisht deputetët…Varet prej rrethanave dhe mundësive teknike. Përndryshe, ajo çka është me rëndësi juridike është që vendimi duhet të shpallen në fletoren zyrtare. Gjykata Kushtetuese ka thënë që masa e përkohshme ende vazhdon, derisa nuk shpallet. Rrjedhimisht, kjo nënkupton që pasi të shpallet në faqen zyrtare vendimi hyn në fuqi dhe mund të zbatohet, rrjedhimisht fillon edhe afati përkatës prej 30 ditësh të tjera të cilin e ka caktuar me aktgjykim kjo gjykatë kushtetuese. Në atë afat fillojnë të rrjedhin edhe afatet 48-orëshe. Brenda tyre munden edhe tri orë, dy orë, çdo pesë minuta, mund të bëjnë ata episode deputetët të seancës konstituive dhe të vazhdojnë ta konsistojnë kuvendin…Besoj që shumë shpejt del vendimi në Fletoren Zyrtare, sepse është shumë emergjente kjo punë, duhet të bëhet shpejt”, tha Baraliu.

Krahas kësaj, njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, thekson se veprimet e para të partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, tregojnë mungesë gatishmërie për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Siç thotë ai, LVV-ja duhet të reflektojë patjetër, veçanërisht pas këtij vendimi.

“Gjykata me këtë vendim që nxori në pika të shkurtra tregoi se cila është rruga e ditur për të konstituuar Kuvendin. Mendoj që asnjëra prej subjekteve politike, me theks të veçantë LVV-ja, nëse nuk e ka për qëllim rrënimin e këtij sistemi demokratik që e kemi dhe nëse nuk e ka për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës, do të duhej patjetër që të reflektonte pas publikimit të aktgjykimit. Dhe këtë 30 ditshin e afatit të ripërsëritur tashmë për të tretën herë, do të duhej ta shfrytëzonte për të krijuar institucionet dhe për të ecur tutje. Ka qenë shqetësuese reagimi i djeshëm i tyre në kor, i asaj pjesës së propagandës së tyre, por edhe qëndrimi zyrtar i LVV-së ku atakon Gjykatën Kushtetuese dhe shpreh mospajtim me vendimin që e ka nxjerrë”, thotë Jashari.

Jashari potencon se reagimet e para të LVV-së pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë skeptike, ndërsa mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata në lidhje me aktgjykimin.

“Nëse i shohim reagimet fillestare, duket se LVV-ja nuk është e gatshme ta zbatojë diçka që është mandatare e që vjen me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, përfillja e procedurave për konstituimin e kuvendit ose hapja rrugë për konstituimin e kuvendit pa pjesëmarrjen e tyre. Reagimet fillestare janë skeptike, megjithëse do të ri-konfirmohej përsëri se LVV-ja nuk e njeh këtë sistem juridik dhe duket sikur ky sistem demokracie nuk i bie ‘tamam’ atyre për faktin që vazhdimisht e sulmojnë sistemin e drejtësisë sa herë që atyre nuk iu konvenon… Mbetet për të parë se si do të sillet situata rreth vendimit të aktgjykimit. Por, reagimet e para nga LVV-ja tashmë është bërë e zakonshme që të jenë zhgënjyese”, tha Jashari.

Ndërkaq, avokati Ardian Bajraktari konsideron se e dispozitivi i fundit i Aktgjykimit të Kushtetueses, i publikuar më 8 gusht, është shumë më i qartë se ai paraprak.

Sipas tij, në këtë aktgjykim sqarohet se kryesuesi teknik ka ndërmarrë veprime në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës së Kuvendit. Për tejkalimin e kësaj situate, Bajraktari kërkon reflektim nga subjekti politik fitues.

“Dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i publikuar dje është shumë më i qartë sesa ai paraprak dhe përmes këtij qartësohet fakti se kryesuesi teknik ka ndërmarrë veprime në shpërputhje me aktgjykimin me kushtetutën dhe rregulloren e punës së kuvendit. Për tejkalimin e kësaj situate kërkohet reflektim në të fazë të procesit, para së gjithash, nga subjekti politik fitues. Për më tepër, po ashtu, qartësohet se e drejta e subjektit politik fitues për t’u propozuar kandidati nuk është absolute, por ka kufizime”, thotë Bajraktari.

Bajraktari thekson se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Ai shton se, edhe pse mund të ketë diskutime mbi përmbajtjen e aktgjykimeve, në fund të fundit ato duhet të respektohen dhe zbatohen.

“Sa i përket çështjes se a do të zbatohet ose jo vendimi. Natyrisht, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme që të zbatohen nga ana e akterëve, të cilët iu adresohet. Diskutimet mund të bëhen përkitazi me aktgjykimet, por në instancë të fundit ato duhet të zbatohen pasi është jashtëzakonisht shqetësuese mos zbatimi eventual i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bajraktari.

Gjykata Kushtetuese tha të premten, më 8 gusht, se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë dhe se konstituimi i legjislaturës së nëntë duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Në vendimin e publikuar, Kushtetuesja tha se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Sipas vendimit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Shpërndaje në

U Kopjua