Live

Kurti para gati dy muajëve dha deklaratë në polici, në cilësinë e të dëmtuarit

15:45 / 05 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti që nuk po u përgjigjet organeve të rendit si dëshmitar për rastin e rezervave shtetërore, pra për rastet që lidhen me korrupsion në qeverinë e tij, del se para gati dy muajëve ka dëshmuar para Policisë në cilësinë e të dëmtuarit/dëshmitarit. Dëshmia e tij u bë lidhur me rastin ku Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani akuzohen për kanosje ndaj tij. Aty thuhet se Kurti ka deklaruar se nuk ndihet i kërcënuar apo rrezikuar.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Kurti para zyrtarëve policorë ka deklaruar se fushata e shpifjeve dhe dezinformimi është i madh, por që beson në përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e organeve të rendit dhe sigurisë.

“I dëmtuari – dëshmitari, Albin KURTI, para zyrtarëve policor, me dt. 10.06.2025, në lidhje me postimet dhe kërcënimet për vrasjen e tij nga të pandehurit e lartcekur, për shkake të veprimeve të tija në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, deklaron se “Fushata e shpifjeve dhe dezinformomi është tejet i madhe. Nga ajo nxiten e shkaktohen kërcënime nëpër rrjete sociale të cilat mandej përforcohen në emisione televizive. Megjithëkëtë unë besoj në përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e organeve të rendit dhe sigurisë andaj, nuk ndjehem i kërcënuar apo i rrezikuar”, citohet deklarimi i Kurtit në aktakuzë.

Kurti kishte shtuar se beson që Prokuroria do t’i trajtojë rastet sipas legjislacionit në fuqi dhe në dobi të interesit publik.

“Besoj që Prokuroria e shtetit, do t’i trajtoj këto raste sipas legjislacionit në fuqi dhe në dobi të interesit publik“, citohet të ketë thënë Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua