Kryeministri Albin Kurti ka përmbledhur disa gna përurimet që janë bërë këtë javë në shëndetësi dhe disa nga punët tjera që po kryhen.
Ai ka thënë se këtë javë u përurua barnatorja qendrore në Gjilan dhe Urgjenca e re në Podujevë, ndërsa shton se punimet në Klinikat e Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë po ecin me ritme të përshpejtuara, kurse në QKSUK tashmë ofrohet trajtimi për zgjerimin rapid të nofullës së sipërme me ekspanderë fiks – Hirax.
Kryeministri thotë se shëndetësia publike duke ofruar shërbime të reja, aparatura të teknologjisë së fundit e infrastrukturë moderne, po transformohet shpejt dhe rrënjësisht, shkruan Reporteri.net.
Postimi i Kurtit:
🏥 Java në shëndetësi
✅ Në Gjilan u përurua Barnatorja Qendrore, një hapësirë moderne për ruajtjen dhe shpërndarjen e barnave, e realizuar me një investim prej mbi 300 mijë euro. Po ashtu, aty u adaptua edhe një pjesë e Fiziatrisë për ofrimin e shërbimeve ditore fiziatrike për pacientët.
✅ Në Podujevë u përurua Urgjenca e re, e financuar nga Komuna e Podujevës dhe “Qatar Charity” e cila do të ofrojë shërbime urgjente dhe emergjente me standardet më të larta shëndetësore për qytetarët e Podujevës por edhe të vendit, rajonit, përfshirë bashkatdhetarët tanë.
✅ Punimet në Klinikat e Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë po ecin me ritme të përshpejtuara. Projekti, me sipërfaqe 3760 m² dhe vlerë 4.3 milionë euro, ishte planifikuar të përfundojë për 48 muaj, tani pritet të përfundojë për 24 muaj. Ky projekt, përveç infrastrukturës moderne, sjell shërbime të reja si: transplantimi i palcës kockore dhe shërbimi i plazmaferezës duke kursyer qytetarët nga trajtimet jashtë vendit.
✅ Metoda të reja për trajtime në stomatologjinë publike. Në QKSUK tashmë ofrohet trajtimi për zgjerimin rapid të nofullës së sipërme me ekspanderë fiks – Hirax. Kjo metodë bashkëkohore zëvendëson aparatin mobil, i cili kërkonte 1.5 deri në 2 vjet për të arritur rezultatet, ndërsa tani procesi zgjat vetëm 3 deri në 6 javë.
Shëndetësia publike duke ofruar shërbime të reja, aparatura të teknologjisë së fundit e infrastrukturë moderne, po transformohet shpejt dhe rrënjësisht.