Kryeministri Albin Kurti, ka refuzuar sërish të deklarohet në lidhje me ftesën për intervistim lidhur me skandalin e rezervave shtetërore, në cilësinë e dëshmitarit, që ka marrë nga Prokuroria Speciale dhe mospërgjigjen ndaj saj.
“Jam duke shkuar në mbledhje të Qeverisë”, ka thënë Kurti nxitimthi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori thirrjen për intervistim si dëshmitar nga Prokuroria Speciale të enjten e 12 dhjetori, për t’u paraqitur pranë këtij institucioni gjatë të hënës.
Kurti të hënën nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se prokurorët e rastit janë njoftuar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti s’mund të ishte i pranishëm të hënën për intervistim pranë Prokurorisë Speciale, për shkak të agjendës së tij jashtë vendit.
Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha se Kurti është shprehur i gatshëm që t’i mirëpres në zyrë prokurorët e rastit për ta intervistuar atë, në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyren e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Reporteri.net.
Në thirrjen e Prokurorisë ishte qartësuar se në rast të mosparaqitjes të paarsyeshme, do ta detyrojnë atë të paraqitet dhe do të ketë gjobë 250 euro.
Lidhur me thirrjen që Qeveria e Kosovës kishte pranuar të enjten e kaluar, zëdhënësi i saj, Përparim Kryeziu kur dhe e publikoi atë në llogarinë e tij në Facebook, e cilësoi këtë thirrje të Prokurorisë Speciale si tentim ndikimi në rezultatin zgjedhor 2025.
Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Kryeministri Kurti i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Për skandalin me rezervat shtetëtore, në gushtin e vitit të kaluar kishte pasur edhe të arrestuar, ndërsa për intervistim ishte ftuar edhe Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, e cila në cilësinë e të pandehurës, ishte mbrojtur në heshtje.