Live

Kushtet atmosferike pamundësuan shkuarjen e të akuzuarve dhe avokatëve, shtyhet seanca ndaj pesë zyrtarëve të Istogut

17:51 / 23 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Për shkak se kushtet atmosferike pamundësuan ardhjen e disa prej të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre në Gjykatën Themelore në Pejë, ka dështuar të hënën gjykimi ndaj pesë zyrtarëve komunalë të Istogut.

Në këtë rast, Jashar Blakaj, Rrustem Gashi, Rexhep Blakaj, Isa Hoxha dhe Besart Dreshaj, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi, dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prezent në seancë ishim vetëm dy të akuzuarit Jashar Blakaj dhe Rrustem Gashi, si dhe mbrojtësit Asdren Mekaj dhe Ndrec Dodaj.

Kryetari i trupit gjykues, Shaqë Curri njoftoi se të akuzuarit tjerë, për shkak të kushteve atmosferike nuk kishin mundur të arrijnë në seancë.

Gjithashtu, gjykatësi Curri, bëri të ditur se mbrojtësi i të akuzuarit Besart Dreshaj, avokati Besnik Berisha, kishte njoftuar më herët Gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë prezent në seancën e sotme.

Andaj, në mungesë të kushteve, seanca u shty për në janar.

Ndryshe, reshjet e dendura të borës të hënën në Pejë u raportua se kanë vështirësuar trafikun.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 7 shtator 2022, po i ngarkon Jashar Blakajn, Rrustem Gashin, Rexhep Blakajn, Isa Hoxhën dhe Besart Dreshajn, për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Konflikt interesi” si dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”. E akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Elfete Blakaj, por ndaj saj ishte veçuar lënda dhe e njëjta është liruar nga akuza.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...