Live

LBK: ZRrE të pezullojë menjëherë vendimin për daljen në treg të hapur të energjisë

09:34 / 05 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që të respektojë vendimet e Gjykatës Komerciale dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e hapur të energjisë.

Ky veprim, sipas LBK-së, është marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë dialog serioz me komunitetin e bizneseve. Si i tillë, ky institucion thotë se veprimi është i papranueshëm dhe rrezikon të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë vendore.

“Qasja e deritashme e ZRrE-së, me mbështetjen e heshtur të Qeverisë, përbën një hap të gabuar strategjik, që nuk i shërben interesit të bizneseve të Kosovës dhe as zhvillimit ekonomik të vendit”, thotë LBK.

Ky institucion shpreh dyshime edhe për ndonjë agjendë të fshehur nga ZRrE-ja apo Qeveria.

“Nuk është e qartë në çfarë agjende janë përfshirë ZRRE-ja dhe Qeveria, por është evidente se ky drejtim nuk është në përputhje me nevojat dhe interesat strategjike të prodhuesve dhe bizneseve vendore, të cilat janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit”.

“Edhe gjykata kompetente ka vlerësuar se ky vendim është kundërshtim më legjislacionin dhe ka urdhëruar pezullimin e tij, çka e bën të pakuptimtë këmbënguljen për zbatimin e tij nga ana e ZRrE-së”, tha LBK.

LBK kërkoi që ky vendim të rishikohet me urgjencë dhe që të ndërmerren masa konkrete për të ndaluar zbatimin e tij deri në një analizë të plotë gjithëpërfshirëse, të hartuar në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve dhe partnerët institucionalë.

Shpërndaje në

U Kopjua