Live

Lëvizja e Kurtit që s’e fut nesër Kosovën në KiE –inspirim drafti i Asociacionit me simbole, kuvend, kryetar…

12:39 / 16 Maj 2024

Nga Kosova Live

Qeveria nuk e do draft-statutin e propozuar nga Bashkimi Europian dhe refuzoi ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Tash kur ka shumë gjasa që anëtarësimi i vendit në KiE të dështojë, Ekzekutivi e ka njoftuar Këshillin e Europës se po e përgatit një draft-statut të frymëzuar nga Friedrich Ebert, organizata gjermane e cila para një viti prezantoi një të tillë që parashihte financimin nga Serbia, flamur, stemë, kuvend e kryetar.

Komiteti i Ministrave, që duhet të vendosë përfundimisht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës ose jo, mblidhet sot dhe nesër në Strasburg.

Kryeministri Albin Kurti tha javën e kaluar se Qeveria nuk ka më çka të bëjë për këtë, ndërsa deklaroi se nuk e dërgon në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të propozuar nga Bashkimi Europian, duke refuzuar kështu kushtin që tha se ia vendosën kryeqendrat europiane për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës këtë muaj.

Por Qeveria e Kurtit ka lëvizur në fund, duke e dërguar një letër në Strasburg, atje ku sot dhe nesër takohen ministrat e vendeve anëtare të KiE.

“Qeveria e Kosovës është duke e përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, shkroi ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një letër që ia dërgoi të mërkurën presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos.

Pasi përmend zotimin e presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca në mars për themelimin e Asociacionit pas anëtarësimit të vendit në Këshillin e Europës, Gërvalla e njofton Byronë e KiE se tashmë po e përgatisin një draft-statut, që është i frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (në kuadër të obligimeve të parapara në nenet 7 dhe 10), të frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e Gërvallës.

Kurti para një jave në një mbledhje të Qeverisë tha se nuk e duan draft-statutin e Lajçakut, ndërsa për draft-statutin që po përgatitet, po frymëzohen nga organizata Friedrich Ebert.

Lëvizja nuk bindi Berlinin. Ambasada e Gjermanisë në një prononcim për Express të enjten tha se është kërkuar që draft-statuti të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese si hap që do ta anëtarësonte Kosovën në KiE.
Edhe Gerald Knaus nga ESI në një intervistë për REL e pranoi se letra dhe disponimi i Qeverisë për t shkruar statut nuk do të kryej punë nesër te Komiteti i Ministrave pasi puna u bë me vonesë.

Draft-statuti që e kishte hartuar FES-i: Asociacioni me financim nga Serbia, me simbole, kuvend e kryetar

Organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) e kishte publikuar një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në fillim të vitit 2023. Në 7 kapituj e 18 nene, drafti parashihte mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të Asociacionit, përfshirë simbolet.

Statuti i Asociacionit do të miratohej me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të hynte në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Në strukturë, draft-statuti i FES-it parashihte Asociacion me kuvend, kryetar, nënkryetar, këshill e bord.

Asociacioni parashihej t’i kishte simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën e flamurin, për të cilat do të vendoste Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Statuti do të miratohej nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.

Ai draft-statut parashihte që Asociacioni të mund të ushtronte edhe kompetenca shtesë, të cilat mund të delegoheshin nga autoritetet qendrore të Kosovës.

Sikurse edhe draft-statuti i hartuar nga Ekipi Menaxhues, i kryesuear nga anëtarja e partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, edhe dokumenti i FES-it parashihte që Asociacioni ta kishte statusin e subjektit juridik, të cilin thuhet se duhet t’ia jepte Qeveria e Kosovës përmes një akti juridik.

Asociacioni, sipas organizatës gjermane, do të financohej nga Serbia, por edhe nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera vendase dhe ndërkombëtare.

“Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të tijin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare”, thuhej ndër tjerash në draft-statutin e prezantuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung.

Gjatë rishikimit të buxhetit, sipas dokumentit, Qeveria e Kosovës dhe Auditori i Përgjithshëm mund të kishin qasje. Auditori po ashtu parashihej t’i bënte kontrollet për shpenzimet e Asociacionit.

Sipas draft-statutit të FES-it, Asociacioni do të përjashtohej nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, sikurse komunat pjesëmarrëse.

Tash, Kosova po punon për një Asociacion, duke u frymëzuar nga FES-i. Kryediplomatja Donika Gërvalla, në letrën e dërguar në Strasburg shkroi se presin që Komiteti i Minitrave ta pranojë Kosovën në Këshillin e Europës, “duke marrë parasysh këto hapa konkretë dhe të prekshëm të ndërmarrë nga Kosova”.

Sipas Gërvallës, draft-statuti i Qeverisë plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb dhe e respekton Kushtetutën e Kosovës e parimet e Këshillit të Europës.

“Drafti siguron, jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, shkroi Gërvalla në Facebook sot, ku njoftoi për lëvizjen e fundit.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...